AOS

KARAVASTAJA, LAGUNA QË MAGJEPS ME BUKURINË NATYRORE DHE ZOGJTË

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta të ofron një peizazh mbresëlënës në këto ditë dhjetori, ndërkohë që magjia në këtë lagunë shtohet duke parë shumëllojshmërinë e shpendëve. Sapo hyn në pjesën e pyllit, të shoqërojnë cicërimat e zogjve, ku veshi i mësuar i studiuesve dhe i specialistëve dinë të bëjnë dallimin se çfarë specieje i përkasin. Por edhe për ata që bëjnë për herë të parë një tur ‘birdwatching’, magjia nuk shuhet nëse nuk dinë t’i dallojnë. Shpendi që çdokush mund ta dallojë në lagunën e Karavastasë është pelikani kaçurrel, i cili në 2015-ën ka një shtim të popullatës.

Nis unazimi i shpendëve migratorë nga specialistët e mjedisit

Jemi futur në stinën e shpendëve migratore dhe specialistët e faunës fluturake kanë nisur identifikimin dhe unazimin e shpendëve të rrallë që vijnë e ikin nga vendi ynë. Këtë herë, AOS (Albanian Ornithological Society) po forcon kapacitetet e saj teknike në një kamp unazimi, një nga më të mëdhenjtë në Europë, të organizuar nga partnerët tanë të Stacionit të Unazimit të Shpendëve të Liqenit Kolon (Hungari). Behet fjalë për shpende të mrekullueshëm të kapur, të matur, të unazuar dhe të lëshuar menjëherë.

Vrojtimi i shpendëve, risia e turizmit ekologjik në Shqipëri

Ornitologu Taulant Bino ndal hapin dhe mban vesh çdo tingull në peizazhin e mbrojtur të Velipojës. Pasi ka heshtur për disa sekonda, ai kthehet nga grupi i kureshtarëve që e shoqërojnë në ekspeditën e vrojtimit të shpendëve dhe pohon zbulimin e tij. “Është qukapiku i zi, ndodhet në një pemë rreth 15 metra larg në të djathtë”. Përvoja dhe pasioni i kanë mprehur shqisat dhe i kanë kalitur durimin Binos-drejtues i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare, AOS, i cili përmes vrojtimit të shpendëve po projekton një formë të re të eko-turizmit në Shqipëri.