• Kreu
  • Natyra
  • KARAVASTAJA, LAGUNA QË MAGJEPS ME BUKURINË NATYRORE DHE ZOGJTË

KARAVASTAJA, LAGUNA QË MAGJEPS ME BUKURINË NATYRORE DHE ZOGJTË

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta të ofron një peizazh mbresëlënës në këto ditë dhjetori, ndërkohë që magjia në këtë lagunë shtohet duke parë shumëllojshmërinë e shpendëve. Sapo hyn në pjesën e pyllit, të shoqërojnë cicërimat e zogjve, ku veshi i mësuar i studiuesve dhe i specialistëve dinë të bëjnë dallimin se çfarë specieje i përkasin. Por edhe për ata që bëjnë për herë të parë një tur ‘birdwatching’, magjia nuk shuhet nëse nuk dinë t’i dallojnë. Shpendi që çdokush mund ta dallojë në lagunën e Karavastasë është pelikani kaçurrel, i cili në 2015-ën ka një shtim të popullatës.

Sipas specialistëve të shoqatës “AOS-Albanian Ornithological Society”, në total në lagunë janë 145 individë. Duke qenë se është edhe periudha e folizimit, numri i çifteve të pelikanëve shkon në 46. Taulant Bino, eksperti i shoqatës “AOS”, sqaron se numri i tyre ka ardhur në rritje vitet e fundit, pasi nëse në vitin 2000 numëroheshin 19 çifte pelikanësh, në 2014-ën numri shkoi në 37, ndërkohë që këtë vit numri i pelikanëve kaçurrelë është 46 çifte. Por ajo që kjo shoqatë synon të arrijë është shtimi i vizitorëve në këtë lagunë, dhe sidomos i atyre vendas, ndërkohë që vizitorët e huaj tashmë e kanë kthyer në një destinacion për t’u vizituar lagunën e Karavastasë. “Synimi ynë është që kjo lagunë të kthehet në një pikë turistike për qytetarët shqiptarë dhe të huaj. Laguna të ofron një ekosistem të mrekullueshëm që çdokush duhet ta vizitojë”, – tha Bino.

Udhëtimi

Zbresim nga makina për të ecur në këmbë gjatë lagunës, drejt stacionit të parë të vrojtimit, apo siç njihet: Godulla e Vogël. Pulëbardhat, shapkat, çafkat, rosat, por edhe një tufë e madhe me flamingo janë në pjesën ujore. Disa flamingo janë me krahë rozë, disa me krahë të zinj, gjë që sipas ekspertit të shpe-ndëve, Taulant Bino, është element dallues i moshës së tyre. Mes tyre dallon dhe një çift pelikan kaçurrel mbi një trung peme. Hapin shpeshherë krahët, pasi duan të thahen pas kërkimit të peshqve në ujë. Të mjaftojnë një palë dylbi apo një teleskop dhe ti mund të bëhesh njësh me shpendët. Prania e peshkatarëve në lagunë bën që shpendët të rrinë pak të distancuara dhe shpeshherë të ngrihen në fluturim.

Stacioni i dytë është Spiaxho, ku dhe aty janë qindra shpendë, që për t’i vështruar më mirë hipim në kullën e vrojtimit, e cila të jep një fushëpamje përrallore të lagunës së Karavastasë. Më tej, nisemi drejt Sopit të Artirit. Pisha e butë përzihet me atë të egër dhe drurë të tjerë dhe shkurre, ku së bashku përbëjnë një mozaik dehës të natyrës. Edhe pse mes dhjetori, peizazhi që të ofrohet të kujton vjeshtën, pasi veç ngjyrës gri, kafe e të gjelbër, mbizotëron dhe një e verdhë e artë. Rruga mes pishave të larta dhe kanaleve të ujit në të dy krahët të ofron një pamje piktoreske që rrallë e shikon në vend tjetër. Erdhëm drejt fundit të rrugës, por magjinë e tufës së pelikanit kaçurrel nuk e shijuam dot, pasi ata ishin trembur nga specialistët e administratës së zonave së mbrojtura Qarku Fier, të cilët i ndihmojnë duke u çuar shkarpa dhe degë pemësh, pasi është periudha e shumimit.

“Pas pak javësh fillon periudha e shumimit për pelikanin kaçurrel dhe nisin përgatitjen e foleve, të cilat i ndërtojnë me degë të vogla pemësh, shkarpa dhe barishte. Një pjesë të tyre ne ua u afrojmë me varkë në ishull dhe nga prezenca jonë janë trembur”, – tregon Ervin Allushi, specialisti i menaxhimit të faunës dhe ekosistemit në Lagunën Divjakë-Karavasta, sipas të cilit, ajo që mungon në këtë lagunë është vetëm sinjalistika. Ndërsa për ekspertin Bino, Karavastaja është zona më e rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me numrin më të lartë të shpendëve, të shpërndarë në një mozaik habitatesh, përfshirë ligatina, lumenj, ujëra bregdetare, pyje me pisha. “Ajo strehon gjatë gjithë vitit mbi 245 lloje shpendësh, nga 330 të vrojtuara në të gjithë Shqipërinë. Është më se e njohur për tufat e shumta të shpendëve shtegtarë dhe dimërues, rosave dimëruese, baltakëve të vegjël dhe fluturimin spektakolar të pelikanit kaçurrel, simboli i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta”, -thekson Taulant Bino.

Print