• Kreu
  • Natyra
  • Gramshi sensibilizohet me mesazhin e Ditës Botërore të luftës kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës

Gramshi sensibilizohet me mesazhin e Ditës Botërore të luftës kundër Shkretëtirëzimit dhe Thatësirës

Data 17 qershor shënjon Ditën Botërore të luftës kundër Shkretëtirëzimit, Thatësirës dhe Degradimit të tokave. Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër shkretëtirizëmit, thatësirës dhe degradimit të tokave, qe me akronim në anglisht njihet si “UNCCD”, zhvillon veprimtarinë e saj qysh nga viti 1994, ndërsa Shqipëria e ka ratifikuar këtë Konventë në Parlamentin shqiptar më 27 prill 2000 dhe marrëveshja për anëtarësimin e saj ka hyrë në fuqi më 26 korrik 2000.

Institucioni që përfaqëson zyrtarisht vendin tonë në këtë Konventë është Ministria e Mjedisit. Në këtë Konventë janë të përfshira 195 vende nga gjithë kontinentet e botës. Konventa mbështet hartimin dhe zbatimin e strategjive, programeve dhe planeve të veprimit që përfshijnë të gjitha masat ligjore, administrative, teknike dhe financiare në kuadër kombëtar, rajonal dhe botëror per të luftuar shkretëtirëzimin dhe degradimin e tokave dhe nxit kooperimin midis qeverive dhe institutcioneve të vendeve të ndryshme në mënyrë që të sigurohet një zhvillim i qëndrueshëm në nivel botëror.

Çdo vit, Konventa e feston këtë datë të shënuar me një temë të veçantë duke iu bërë thirrje gjithë qeverive të shteteve anëtare që të organizojne në respekt të kësaj dite aktivitete të ndryshme për rritjen e sensibilizimit dhe të ndërgjegjësimit rreth çështjeve që lidhen me luftën ndaj këtij fenomeni dhe të ndikimeve që ai jep në shkretëterëzimin dhe degradimin e tokave. Këtë vit fokusi i UNCCD është “Degradimi i Tokave dhe Emigrimi”.

Në vetëm 15 vjet, numri i emigrantëve ndërkombëtarë në mbarë botën është rritur nga 173 milionë që ishte në vitin 2000 në 244 milionë në vitin 2015. Degradimi mjedisor, paqëndrueshmëria politike, pasiguria ushqimore dhe varfëria janë shkaqe të migrimit dhe të sfidave të zhvillimit.

Kjo ditë duhet t'u kujtojë të gjithëve rolin e rëndësishëm që ka sot toka në prodhimin e ushqimit dhe gjenerimin e punësimit vendor, si dhe aftësinë e saj për të rritur qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe sigurinë e vendeve të prekura nga shkretëtirëzimi dhe degradimi. MedAlb Institut organizoi këtë 17 qershor në Gramsh një aktivitet për sensibilizimin e komuniteteve rurale dhe sidomos të të rinjve për mbrojtjen e tokës nga degradimi.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ACHIEVE i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend.

Print