• Kreu
  • Natyra
  • Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive 163 njerëz humbën jetën, ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër.

Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore. Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB. Midis viteve 1989 e 2006, tërmetet dhe përmbytjet zënë përkatësisht 17% dhe 31% të fatkeqësive të ndodhura në Shqipëri.

Në studim referohet se, në shkallë botërore, Shqipëria zë vendin e 41-të për rrezikun ndaj rrëshqitjeve të dheut, të 43-tin për tërmetet dhe të 58-tin për thatësira. Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore për Shqipërinë janë: gjeologjike (tërmete, rrëshqitje dheu, shkëmbinjsh); hidrometeorologjike (përmbytje, shira të rrëmbyer, thatësira, stuhi bore, ortekë apo bllokim nga bora, stuhi ere); bio-fizike (zjarre në pyje, epidemi) ndërsa ato të shkaktuara nga njeriu konsistojnë në: shpërthim digash, përmbytje e fatkeqësi teknologjike.

Studimi i IIDM konstaton se, Shqipëria ndeshet gjithashtu me një numër problemesh mjedisore, të cilave u shtohet ekzistenca ende e zonave me rrezik të lartë për shkak të ndotjes. Shqipëria karakterizohet nga shkallë e lartë sizmiciteti. Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Jug Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet “e paqëndrueshme”, objekt i rrëshqitjes së dherave.

Sistemi lumor në Shqipëri paraqet riskun më të madh për përmbytjet. Ato ndodhin zakonisht gjatë periudhës nëntor-mars, në të cilën në Shqipëri bie rreth 80-85% e sasisë vjetore të shirave.

Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz.

Në janar 2010, në rajonet Shkodër e Lezhë, u përmbytën rreth 14,000 hektarë dhe 1200 godina, ndërsa 12,000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat.

Në shkurt 2015 u përmbytën rreth 3,000 hektarë dhe mbi 600 banesa në pjesën perëndimore e jugperëndimore të vendit. Nga këto përmbytje u prekën rreth 42,000 persona, ndërsa rreth 600 familje u desh të evakuoheshin. Momentalisht janë rreth 630 sisteme rezervuarësh me diga në Shqipëri, prej të cilave, 307 konsiderohen ose me diga të larta (lartësia deri 15 m) ose rezervuarë të mëdhenj.

Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve. Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë).

Studimi nxjerr në pah se, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë.

Rreziku

Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore. Ajo renditet ndër vendet me risk të lartë ekonomik ndaj një shumëllojshmërie rreziqesh. Rreth 86% e territorit të saj ku gjenerohet mbi 88.5% e PBB, është e ekspozuar nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga këto fatkeqësi midis 1974-2006, janë llogaritur mesatarisht në 68.7 milionë USD në vit, ose rreth 2.5% e PBB-së.

Si funksionon sistemi mbrojtës?

Sistemi i Mbrojtjes Civile në Shqipëri përbëhet nga struktura të përhershme e të përkohshme në nivel qendror, në nivel prefekture dhe bashkie. Janë rreth 20 institucione e agjenci në nivel qendror dhe rreth 15 organizata në dy nivelet e tjera, të cilat aktivizohen në mënyrë të rregullt. Në çdo nivel ka gjithashtu të paktën një strukturë të përkohshme, Komiteti Ndërministror në nivel qendror dhe Komitetet e Emergjencave Civile në dy nivelet e tjera. Përveç strukturave shtetërore ka me dhjetëra OJQ që veprojnë në këtë fushë. Megjithatë sistemi i mbrojtjes civile në Shqipëri mbetet shumë i centralizuar. Pushteti lokal (nivel prefekturë, bashki) nuk ka fonde të mjaftueshme dhe në praktikë janë të përjashtuara nga vendimmarrja në çështjet e emergjencave civile.

Në nivel kombëtar, Këshilli i Ministrave (KM) aprovon strategjitë, politikat, planet dhe programet. Gjithashtu drejton dhe koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve të përfshira në një emergjencë civile. Ministria e Brendshme (MB) zbërthen politikat në plane dhe i ekzekuton ato gjatë situatës së emergjencës. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) është institucioni kyç për menaxhimin e fatkeqësive. Ajo bashkëpunon me institucionet dhe agjencitë qendrore, të përfshira në emergjencat civile dhe monitoron gjendjen e emergjencës në të gjithë territorin e Shqipërisë. Qendra Operacionale Kombëtare për Emergjencat Civile luan rol të pazëvendësueshëm në të gjitha fazat e menaxhimit të emergjencave civile. Ajo është plotësuar me personel shërbimi 24 orë në 7 ditët e javës dhe monitoron situatën në të gjithë territorin shqiptar. Zyrat e emergjencave civile dhe stacionet për mbrojtjen dhe shpëtimin nga zjarri në rrethe, raportojnë direkt te kjo qendër.

Bashkitë dhe komunat emërojnë një person përgjegjës për emergjencat civile (si përgjegjësi shtesë ndaj detyrave të tjera të tij).

Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit nga Zjarri, në varësinë e Ministrisë së Brendshme, ka një personel prej rreth 700 vetash, i organizuar në 45 stacione (6 në Tiranë) me rreth 74 automjete zjarrfikëse (12 në Tiranë). Deri në vitin 2009, në këtë shërbim nuk ishte bërë pothuajse asnjë investim, derisa një projekt i sponsorizuar nga Banka Botërore (2009-2013) siguroi një sasi të konsiderueshme pajisjesh për ndërhyrje në rast zjarri, përfshi një numër automjetesh zjarrfikëse.

Shërbimi pyjor aktualisht ka një personel të pamjaftueshëm për luftën ndaj zjarreve. Shërbimi për zjarret në pyje, pritet të bëhet efektiv nëpërmjet Qendrës për Menaxhimin dhe Koordinimin e Zjarreve në Pyje (të porsakrijuar) e cila pritet të mbështetet nga rreth 50-100 grupe për luftën e zjarreve në pyll.

Kapacitetet përballuese

Rrjeti sizmologjik aktualisht përbëhet nga 13 stacione plus 34 stacione të tjera “të lëkundjeve të mëdha”. Ky rrjet po operon tashmë si një sistem dixhital, i integruar plotësisht, nëpërmjet përdorimit të komunikimit satelitor. Personeli i shërbimit sizmografik është trajnuar së fundi nga NATO. Shërbimet meteorologjike dhe hidrologjike përfaqësohen nga tre institucione të ndryshme: Instituti i Gjeoshkencave (pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës), Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Shërbimi Meteorologjik i Aeroportit Internacional të Tiranës. Ndërsa ushtria ka rrjetin e saj të meteorologjisë. Reduktimi aktual i stafit të Institutit nga 70 në 25 veta përbën një sfidë, ndërsa mungon një staf i ngarkuar të kryejë monitorim të pandërprerë në këtë fushë 24 orë në 7 ditë të javës. Rrjeti i observimit meteorologjik konsiston në 7 stacione automatike për kohën (ende të palidhura “on-line”); 15 stacione agro-meteorologjike, 2 stacione meteorologjike të marinës, 110 stacione të klimës (jo automatike) dhe 15 stacione të matjes së shiut. Shqipëria nuk ka radarë për kohën, observim të lartësive të mëdha dhe të rrufeve. Të dhënat meteorologjike ende nuk shkëmbehen me sistemin GTS të Organizatës Botërore të Meteorologjisë. Stafi operacional i Institutit (meteorologë e hidrologë) ka njohuri të mira shkencore, por kapacitete të kufizuara njerëzore për të dhënë parashikime të kohës, për të prodhuar të dhëna të rëndësishme për analizat e rreziqeve në lidhje me ekstremet meteorologjike apo të operojnë një sistem adekuat të paralajmërimit të hershëm. Në instancë të fundit, rrjeti hidrologjik e meteorologjik është i një cilësie të ulët krahasuar me kërkesat e BE-së, ndërsa mungesa e modeleve dixhitale të parashikimit të kohës paraqet një pengesë serioze për “paralajmërimin e hershëm”. Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka një sistem të paralajmërimit të hershëm për sa u përket shpërthimit të epidemive. Gjithashtu një sistem i paralajmërimit të hershëm është ngritur për zjarret në pyje (me disa kulla vëzhgimi për qark) dhe funksionon gjatë stinës së zjarreve. Duke ndjekur rregullat e BE-së për një numër thirrjeje emergjence të përbashkët (“112”), një studim fizibiliteti është kryer tashmë në Shqipëri me mbështetjen e Bankës Botërore, por vënia në eficiencë e një sistemi komunikim/thirrje “112” varet nga gjetja e fondit të nevojshëm prej rreth 18 milionë eurosh.

Kapacitetet për reagim ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, po pjesa kryesore nga ushtria. Aktualisht janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë, 63 (të vegjël, të mesëm, rreth 90 veta/rejs); rreth 65 motobarka të vogla, strehim me tenda për 17 mijë njerëz. Për evakuim mjekësor janë në dispozicion 178 autoambulanca (nga MSH, të shpërndara në 36 qarqe, ku janë edhe spitalet, 11 prej tyre në Tiranë) plus 12 autoambulanca nga ushtria. Dy njësi për pjekjen e 2,400 kg bukë në ditë), njësi gatimi për 3,000 racione plus 3 autokuzhina për 900 racione në ditë). Për ujin e pijshëm janë 7 autobote (total 67 tonë) dhe 11 pompa (total 12 m³/orë). Për higjienën personale 2 njësi dushesh për 200 veta/ditë.

Ditë të vështira na presin

Banka Botërore, në një studim të zgjeruar për ndikimet e klimës në Shqipëri, specifikisht në sektorin e bujqësisë, lajmëron për periudhë të vështirë, të paktën deri në vitin 2050.

Reduktimi i varfërisë dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore (përfshirë tokën, ujin dhe biodiversitetin) janë ndër objektivat e qeverisë shqiptare. Megjithatë, strategjitë dhe legjislacioni nuk përkthehen gjithmonë në programe dhe projekte, kryesisht për shkak se shumica e aktiviteteve të përfshira në këto strategji kërkojnë investime, të cilat janë shumë të larta për buxhetin e shtetit, analizon Banka Botërore. Zbatimi i tyre pengohet edhe nga kapacitetet e kufizuara profesionale të institucioneve përkatëse. Për këtë arsye, mbështetja e vazhdueshme ndërkombëtare është një element i rëndësishëm për garantimin dhe zgjerimin e zbatimit. Aftësia për të mbledhur dhe për të gjeneruar të dhënat meteorologjike për fermerët është shumë e kufizuar. Instituti Hidrometeorologjik kryesor në Shqipëri është Instituti i Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, një qendër në Universitetin e Tiranës. Ky rregullim institucional e ka lënë institutin me një mungesë akute të financimit. Nevoja për ngritje të kapaciteteve për parashikimin e motit paraqitet emergjente. Në shumë raste, fermerët shqiptarë u referohen shërbimeve meteorologjike të vendeve fqinjë.

Një fermer, i cili ka një fermë 10 hektarë në Ultësirën Perëndimore, do ta ketë të vështirë të kultivojë pemëtarinë, pasi rrënjët e pemëve kalben gjatë stinëve me lagështi sidomos nëse përmbytjet ndodhin gjithnjë e më shpesh. Në këtë aspekt, fermerët duhet të jenë të azhurnuar me shërbimin meteorologjik në mënyrë që të orientojnë investimet me ndryshimet e klimës – sugjeron Banka Botërore.

Ngrohja mesatare gjatë 40 viteve të ardhshme pritet të rritet me rreth 1.5oC, shumë më e madhe se rritja me 0.5oC e vërejtur gjatë 50 viteve të fundit. Por ndryshimet në reshje janë shumë më të pasigurta se ndryshimet e temperaturës. Studimi tregon rënie të reshjeve mesatare vjetore për Shqipërinë rreth 50 mm deri në vitin 2050, shumica do të jetë e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, duke përfshirë zonat përreth Lushnjës, Vlorës, Fushë-Krujës dhe Shkodrës, ku reshjet mund të jenë 150 mm në vit. Për sektorin e bujqësisë në Shqipëri, përmbytjet janë veçanërisht problematike në pranverë, kur ato mund të vonojnë ose parandalojë mbjelljen e kulturave të verës, dhe gjatë verës, kur përmbytjet mund të shkatërrojnë rritjen e tërë vitit dhe duke parandaluar korrjet në kohë.

Rritja e temperaturës gjatë verës mund të jetë me 4-5ºC në malet veriore të Shqipërisë. Përveç kësaj, rëniet e reshjeve pritet të jenë më të mëdha në periudhën maj-shtator, veçanërisht në malet jugore dhe veriore. Rezultatet tregojnë se rrushi dhe ullinjtë do të jenë më të prekura nga ndryshimet klimatike, me rënie të prodhimit në të gjitha zonat e vendit, por veçanërisht në ato fushore. Rendimentet e grurit mund të rriten. Prodhimi i jonxhës duhet të rritet në shumicën e rajoneve. Efektet e pritshme të misrit ndryshojnë sipas rajonit, me rritjen e prodhimit në malësitë jugore dhe më ulët në rajone të tjera.

Klima, rrezik jo vetëm për Shqipërinë

Ekspozimi ndaj klimës dhe rrezikut të fatkeqësive po rritet në nivel global, veçanërisht për të varfrit. Numri i fatkeqësive klimatike vetëm në dekadën e fundit është rritur pothuajse dy herë me atë që është shënuar në 1980. Duke punuar me mbi 400 partnerë, Fondi Global për Reduktimin e Katastrofave dhe Rimëkëmbjes (GFDRR) është duke ndihmuar në menaxhimin e rrezikut të fatkeqësive në axhendën e zhvillimit të pas 2015.

Print