Inspektoriati i Mjedisit, Bashkia Elbasan: Ndonëse funksion që prej 4 vitesh, sërish i ka duart e “lidhura”

Vlerësimet e Ndikimeve në Mjedis nuk janë vetëm raporte dhe dëgjesa publike, më tej kësaj janë gjithë institucionet përgjegjëse, që jo vetëm nuk kanë akses në dëgjesat e VNM-ve të ndryshme, por hasin pengesa edhe përgjatë zbatimit teknik të tyre, apo marrjen e masave deri në mbyllje të aktiviteteve. Të tilla probleme ku anashkalohen hallkat insitucionale apo ka mungesë të kompetencave për të kryer detyrën, gjejmë pranë inspektoriatit të Mjedisit në Elbasan.

Qyteti paraqet probleme të mëdha mjedisore të shkaktuar nga ndotja industriale dhe ajo urbane. Megjithëse Inspektoriati i Mjedist të qytetit është krijuar, si pasojë e emergjencës për një monitorim më të rreptë të të gjithë territorit të Bashkisë se këtij qyteti, ky inspektoriat ndjen nevojën e krijimit të hapësirave ligjore si dhe delegim të kompetencave. Vetëm duke u rregulluar këto hallka, Bashkia e qytetit do të ketë kapacitet të plotë në kontrollin e ndotësve.

Inspektoriati i Mjedisit, pranë Bashkisë së qytetit të Elbasanit, kryen inspektime në rastet e nevojshme të ushtrimit të aktiviteteve të bizneseve të ndryshme private, verifikimin sipas ankesave të qytetarëve si edhe marrrjen e masave administrative, në ato raste kur nuk zbatohen kushtet teknike dhe subjekti krijon ndotje mjedisore. Z. Taulant Sinanaj, inspektor pranë këtij Inspektoriati, shprehet se: ndonëse dëgjesat publike kryhen, inspektoriati i cili ai përfaqëson nuk thirret për të marrë pjesë. Gjithashtu edhe përgjatë fazës së monitorimit për zbatimin teknik të VNM-ve sërisht ky inspektoriat s’është i pranishëm.

Z. Sinanaj përgjatë intervistës përmend si subjektet më shumë problematike Ferro-Kromin, që është në fazë vendosje të sistemit të aspirimit dhe Rafinerisë R.B.H Beline, tek ish-tullat refraktare për derdhjen e ujërave industriale. Të dy këto subjekte ndodhen në ish-kombinatin metalurgjik. Për të dy subjektet në fjalë kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Mjedist, pasi është institucioni që i pajis me leje mjedisore dhe, në këto raste inspektoriati s’ka kompetencat e mbështetuara në ligj, për të marrë masat e nevojshme.

Ndonëse Inspektoriati i Mjedisit pranë Bashkisë së Elbasanit, funksionin që prej katër vjetësh, pranon se ka një kordinim jo të mirë institucional, pasi Qendra Kombëtare Liçencave (QKL), liçenson subjekte të ndryshme, pa marrë mendimin e Bashkisë, duke mos marrë parasysh se këto subjekte të vogla përgjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre mund të krijojnë ndotje mjedisore apo akustike. Të tilla subjekte në qytetin e Elbasanit janë furrat e bukës, bodrumet e pallatave, ku jo pak herë këto të fundit përdoren si mjedise për riparime të mjeteve motorike. Këto aktivitete e kryejnë punën në zona me dendësi të lartë urbane.

Z. Sinanaj rekomandon gjithashtu një barazim të kompetencave ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë Elbasan, përgjatë dhënies së Lejeve apo Deklarateve Mjedisore, kjo do të çojë më pas në kompetenca të plota për ndjekjen dhe monitorimin e zbatimit të kushteve teknike të VNM-ve, deri në pezullim apo mbyllje përfundimtare të tyre, siç janë rastet e aktiviteteve që krijojnë ndotje akustike pranë zonave të banuara.

Print