Valbona, ligji dhe spekullimi

Banorë të Valbonës që kanë paditur Qeverinë dhe kompaninë që po ndërton në Valbonë një HEC kanë treguar sot se Valbona po “rënkon” nën shtypjen e betonierave dhe po dridhet nga shpërthimet e minave. Kjo do të thotë se njerëzit tashë duhet të harrojnë se si e kanë parë Valbonën në ndonjë vizitë që mund të kenë bërë atje ose në fotot që mund ta kenë parë. Tronditëse dhe e paimagjinushme është që shumë prej banorve nuk kanë ujë të pishëm, pasi minat për hapjen e tuneleve ku do futet Valbona kanë shakëtërruar dhe burimet e ujit të pishëm.

Ka (kishte) një ligj në Shqipëri (Ligj nr. 8906, datë 6.6.2002) për zonat e mbrojtura. Dhe në këtë ligj është një nen, neni 6, i cili me rastin e padisë nga banorët e Valbonës dhe shoqatës lokale “Toka” po vë në provë drejtësinë dhe jurisprudencën Shqiptare.

Situata ëshë paradoksale dhe aktualisht tragji-komike. Në pikat e këtij neni përshkruhet çfarë lejohet dhe çfarë jo. Shteti kur jep leje (kur do) dhe kompania që ndërton (kur bie në ujdi me shtetin) përdorin gërmën dh të pikës 3 të nenit, që thotë se në zonën e mbrojtur mund të ushtrohen “veprimtari të tjera që nuk ndalohen shprehimisht nga pika 2 e këtij neni”, vetëm pasi të paisen me leje mjedisi. Në pikën 2 janë shprehur vetëm 13 veprimtari që ndalohen, ndër mijra që normalisht ndalohen. Por këto veprimtari që ndalohen në pikën 2 janë në vijim të pikës 1 që shpjegon se Parku kombëtar shpallet se ka vlera unike kombëtare dhe ndërkombëtare, që ka ekosisteme natyrore të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror, fizik janë të një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative. Vini re “..mjedisi natyror …rëndësi e veçantë shkencore edukative. Dhe në frymën e nenit 1 vjen neni 2, që ndalon disa veprimtari që dikush mund ti konsideronte si te pranueshme, si psh; shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase apo riprodhimi intensiv i kafshëve të gjahut. Ndalon gjithashtu ndërtimin e rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë. Kjo që të qartësohet vendimmarrësi që edhe nëse është vepër e madhe me interes kombëtar, Parku nuk duhet të preket.

Natyrisht nuk mund të viheshin në ligj të gjitha veprimtaritë njerëzore që ndalohen. Nuk mund të vihej në ligj se ndalohet që ne park kombëtar të ndërtohet psh, central bërthamor, apo incinerator për djegje plehrash, pasi është jashtë kontekstit të pikës 1, se pse shpallet një zonë park kombëtar. Në nenin 3 përsëri në funksion të nenit 1 përcaktohen disa veprimtari që lejohen, tw natyrës si psh veprimtari kërkimore shkencore, arkeologjike, paleontologjike apo përdorimi ose magazinimi i përkohshëm i agrokimikateve. Dhe ajo që qartëson plotësish se çfarë lejohet dhe çfarë jo shprehet në nenin 4, ku kërkohet leje nga administrata e parkut edhe për kalimin e kafshëve shtëpijake nëpër park ngritjen e objekteve të lehta e të përkohshme, apo mbledhjen e bimëve medicinale e kërpudhave, vendosjen e stendave, apo vozitjen me kanoe. Është qesharake edhe në veshin e një njeriu të zakonshëm të dëgjoj nga pala e paditur pyetjen: “e ke të shkruar në ligj që ndalohet ndërtimi i HEC në zonën e mbrojtur?

Për të shmangur këtë pyetje idiote ligjvënësi në ligjin e ri aprovuar këtë vit e ka shprehur qartë se ndalohet dhe ndërtimi i HECeve në Park Kombëtar. Edhe kjo e panevojshme, pasi ligji ishte i qartë, vetëm se kish një dritare, që në mungesë të zbatimit korrek të ligjit mund të spekulohet me pashë, siç është spekuluar e vazhdon të spekulohet. Tani ligjvënësi, sipas kësaj logjike, duhet të shtoj dhe ndalohet ndërtimi i pallateve për turistë në Park Kombëtar (siç po projektohet në Parkun e Divjakës) dhe kushedi se çfarë idesh spekulative të tjera dalin në vazhdim.

Rasti i Parkut Kombëtar të Valbonës, ku merret lumi dhe futet në tuba e tunele është një sfidë e padiskutueshme për drejtësinë Shqiptare.

Print