• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Mbahet Forumi Kombëtar “Investigimi i zbatimit në praktikë i legjislacionit për ruajtjen e natyrës në Shqipëri”

Mbahet Forumi Kombëtar “Investigimi i zbatimit në praktikë i legjislacionit për ruajtjen e natyrës në Shqipëri”

Në përfundim të projektit “Fuqizimi i OMSHC-ve shqiptare për promovimin dhe ruajtjen e natyrës në Shqipëri”, në kuadër të programit ACHIEVE, i zbatuar nga REC Shqipëri, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, REC Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), organizuan forumin kombëtar në përfundim të projektit “Fuqizimi i OMSHC-ve shqiptare për promovimin dhe ruajtjen e natyrës në Shqipëri”.

Ky projekt kishte në fokus forcimin e rolit dhe aftësitë e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC-ve) në procesin e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe burimeve natyrore nëpërmjet njohjes dhe vlerësimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi për ruajtjen e natyrës, forcimin e luftës kundër korrupsionit në këtë fushë dhe minimizimit të ndikimeve negative në burimet natyrore.

Në kuadër të kësaj nisme, INCA në bashkëpunim me OMSHC vendore dhe ekspertë kombëtarë, ka hartuar një raport mbi zbatimin në praktikë të legjislacionit në fushën e ruajtjes të natyrës, duke u bazuar në punën e institucioneve të cilat merren me hartimin, monitorimin dhe zbatimin e tij në praktikë.

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues nga OMSHC-të, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe institucione akademike, për të diskutuar rreth këtij raporti dhe dhënë sugjerime në lidhje me përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimit të tij në të ardhmen.

Gjatë forumit u paraqit dhe një letër pozicionimi paraprake ku përfshiheshin disa nga gjetjet e OMSHC-ve. Në lidhje me plotësimin e kësaj ketre të pozicionimit pati diskutime nga të pranishmit në pjesën e ligjit të ri të zonave të mbrojtura si dhe të dëmtimit që i është bërë dhe i kanoset zonave të mbrojtura. Për sa më sipër u ra dakord që letra e pozicionimit të rishikohet për të qenë më e plotë si dhe të shikohet mundësia e diskutimit në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura dhe të akteve nënligjore që lidhen me të.

Print