• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • Shoqëria civile në Berat trajton krimin mjedisor në Parkun Kombëtar të Tomorrit

Shoqëria civile në Berat trajton krimin mjedisor në Parkun Kombëtar të Tomorrit

Projekti “Reduktimi i krimit mjedisor, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve ligjzbatuese, në Parkun Kombëtar të Tomorrit”, solli një risi në qytetin e Beratit, e sidomos në organet monitoruese e ligjzbatuese të mjedisit. Kjo temë trajtohej për herë të parë nga shoqëria civile në Berat, e mbi të gjitha ishte drejtuar në Parkun Kombëtar të Tomorrit, që për shumë vite përjeteton shkatërrim e rrënim vlerash.

Nga qershori i vitit 2016 - qershor 2017, u punua nga organizata “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore” Berat, për rritjen e njohjes së njohurive juridike që përcjell paketa ligjore kombëtare e ndërkombëtare, ligjet që mbështesin mjedisin e luftën kundër krimit mjedisor, masat administrative kundër shkeljeve, zbulueshmërinë e krimit mjedisor, qasjen ndërinstitucionale, ndërgjegjësimin publik dhe komunikimin me aktorë e partnerë të shoqërisë civile. Ndërmarrja e aksioneve të përbashkëta, rritja e rolit të specializuar për krimin mjedisor, pavarësisht vështirësive e kërcënimeve në rritje solli rastin e parë që procedohet pranë Prokurorisë së Beratit.

Nga inspektimi mbështetur në VKM –në Nr 511, datë 24.11.2002, Administrata e Zonave të Mbrojtura Berat, datë 24.03.2017 u konstatua afër rrugës Çorovodë-Gjerbës, në krah të djathtë të saj se ishte hapur rrugë në Zonë të Mbrojtur. Në sajë të ndërveprimit institucional me AdZM dhe ISHMP, organizata nxiti më tej duke ndjekur rastin në këto institucione e tashmë ky rast i prekjes së Zonës së Mbrojtur është për procedim në Prokurorinë e Beratit. Krimi mjedisor ndodh sepse është më pak i kushtueshëm, e është shumë kompleks për t‘u trajtuar.

Ai s’është i pavarur e ka nevojë që të luftohet me transparencë, plane pune të përbashkëta, inspektorë mjedisorë të përgjegjshëm, marrje masash të menjëhershme e të dukshme kur mjedisi cënohet. Vetëm kur përgjegjshmëria është e lartë, krimi mjedisor do të zvogëlohet, e mjedisi ynë do të ruhet për ne dhe për brezat që do të vijnë.

Ky projekt është pjesë e programit të punës ACHIEVE i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, me mbështetjen financiare të Delegacionit të Bashkimit Evropian ne vend.

Print