• Kreu
  • Të tjera
  • Aktiviteti njerezor
  • "Lumi", filmi më i ri vizatimor që ndërgjegjëson fëmijët mbi ndotjet e lumenjve

"Lumi", filmi më i ri vizatimor që ndërgjegjëson fëmijët mbi ndotjet e lumenjve

Filmi më i ri i vizatimor Lumi u shfaq paraditen e 9 qershorit 2017, në kinema Millenium Shkodër. Ndërgjegjësimi i komunitetit për mbrojtjen e lumenjve dhe vlerat natyrore të tyre ka qenë në fokus të këtij aktiviteti intensiv dhe mjaft argëtues. Metodologjia e përdorur në punëtorinë 1 javore me fëmijë 9-14 vjeç nga shkolla të ndryshme të qytetit të Shkodrës, ka sjellë tek ata mesazhin në mënyrë kreative, ndërvepruese. Filmi do të konkurrojë në Festivalin e Filmit të Animuar ANIFEST AniFest Rozafa në shtator 2017 në Shkodër.

Në aktivitet, pas fjalës së mirëseardhjes, përshëndetën z. Mihallaq Qirjo nga REC Shqipëri solli tek fëmijët simbolin e Drinit si lumi më i madh në Shqipëri dhe sesi duhet të jemi të kujdeshëm për ta ruajtur nga ndotja dhe mbetjet urbane. Më pas, përshëndeti përfaqësuesi i Agjencisë Amerikane të Mjedisit (US EPA) z. Jose Zambrana, duke përcjellë falënderimin për fëmijët në mesazhin që ata kanë sjellë Ne dhe Lumi. Gjithashtu z. Lek Kadeli, përfaqësues i Bankës Botërore, ndau emocionet e tij me fëmijët, prindërit dhe gjithë të pranishmit në sallë.

Punëtoria zgjati rreth 60 orë ku morën pjesë 16 fëmijë, 3 kineastë e profesionistë, grupi i asistentëve dhe 1 psikologe. Qëllimi i aktivitetit edukues ishte ndërgjegjësimi i fëmijëve mbi ndotjen e lumenjve nga mbetjet e ngurta. Mesazhi u përçua përmes formave të artit pamor në lëvizje si mjet edukues, argëtues dhe ndërveprues. Teknika e përdorur ishte vizatimi dhe plastelina, ndërthurrur me teknologjinë bashkëkohore të multimedias.

Procesi ka kaluar disa faza: skenari, dekori, xhirimet dhe montazhi, ku të gjitha janë realizuar nga vetë fëmijët. Përkrah filmit është punuar edhe një film “prapaskenë” që përcjell gjithë punën intensive të fëmijëve gjatë këtyre ditëve.

Ky aktivitet u mbështet nga projekti CRESSIDA, financuar nga Agjencia Amerikane e Mjedisit (US EPA) dhe zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) dhe GO2.

Print