PPNEA: Nxënësit e shkollave njihen me florën dhe faunën e vendit të tyre

Me afrimin e stinës së verës edhe shpendët shtegtues të programit të edukimit ‘’Spring Alive’’ kanë mbërritur plotësisht në vendin tonë. Për këtë arsye, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) organizoi me datë 7 dhe 8 qershor, aktivitetet edukuese përmbyllëse me nxënësit e vegjël të shkollave fillore, në Parkun Kombëtar të Prespës. Përveç njohjes me 5 shpendët shtegtues, nxënësit e vegjël zhvilluan edhe një ecje në natyrë, duke përjetuar larminë e shumëllojshme të Parkut Kombëtar të Prespës.

Së shpejti, edhe harta e shpërndarjes së shpendëve të Spring Alive në Shqipëri do të jetë e plotësuar në faqen e internetit dhe do të jetë e vizitueshme nga të gjithë. Projekti i edukimit të ‘’Spring Alive’’ zbatohet në Shqipëri nga PPNEA me mbështetjen e Birdlife International dhe Mitsubishi Foundation.

Gjithashtu PPNEA në bashkëpunim me AdZM Elbasan ka organizuar një seksion trajnimi në shkollën e mesme të bashkuar “Sali Halili”, Rrajcë. Ky gjimnaz ishte një ndër 5 shkollat e përzgjedhura për të realizuar këto trajnime në lidhje me rendësinë e biodiversitetit, larmishmërinë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, llojet endemike si dhe faunen e egër që ndodhet në zonë.

Nxënësit po mësojnë më shumë për zonën e tyre, Rrajcën, e cila është pjesë e një ndër parqeve simbol të vendit tonë dhe shumë shpejt me shpresë për të marrë statusin si vend me trashëgimi natyrore botërore UNESCO. Veç kësaj, në këtë aktivitet u prezantua edhe faqja elektronike syrigjelber.info.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Rojtarët e mjedisit natyror – Të mbrojmë së bashku atë çfarë na përket” po zbatohet nga PPNEA në bashkëpunim me RAPA Elbasan si dhe mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Print