Informim mbi politikat mjedisore, TFL mes rrjetit të organizatave “ECIM”

Në kuadër të programit SENiOR II zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit dhe financuar nga Ambasada Suedeze, Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Informim-komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm”. Ky projekt synon nxitjen e vendimarrësve në nivel lokal dhe qëndror për të patur prioritet mjedisin në programet e tyre, nëpërmjet mekanizmave të reagimeve qytetare dhe medias. Shoqata “Together for Life” është pjesë e rrjetit “ECIM”, mes tetë organizatave të tjera mjedisore, rrjet i krijuar nën mbështjen e Qendrës Rajonale të Mjedisit për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri.

Në kuadër të këtij programi është mbajtur takimi organizuar nga "Ekolëvizja", një prej organizatave të Rrjetit "ECIM", për prezantimin e Programit Mjedisor të Partisë Demokratike nga platforma elektorale e kësaj kësaj partie me të cilën kjo e fundit me kandidatët e saj konkurojnë për zgjedhjet vendore 2017. I ftuar për të përballur këtë program me përfaqësuesit e organizatave mjedisore, ishte z.Jamarbër Malltezi, Drejtues i Departamentit të Mjedisit, Turizmit dhe Pyjeve në Partinë Demokratike.

Në programin e saj prej 26 pikash, partia Demokratike parashtron që në pikën e parë të saj, Referendumin për çështjen e Importit të Mbetjeve. Përfaqësuesit e organizatave shprehën reagimet e tyre, duke qënë se kjo çështje ka patur fokusin e saj përgjatë viteve të fundit me organizime të shumta dhe peticione qytetare për rishikimin e ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve.

Pjesëmarrësve në takim, lidhur me këtë problematikë ai iu drejtua: “Për problemin e mbetjeve ne do të kemi një rishikim të ligjit dhe nuk do të rrëzojmë kërkesën kushtetuese të qytetarëve për referendum. Nëse partia jonë fiton, do të zhvillojmë menjëherë takime me palët e interestit, takime me ekspertë të fushës dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve duke marrë parasysh direktivat e Bashkimit Europian”.

Mes pikave të tjera të këtij programi përfshihen; përpjekjet për krijimin e fondit të Mjedisit dhe Pyllëzimit, heqjen e detyrimeve për lejet mjedisore për bizneset e vogla, ndalimin e shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve për inerte, ndalimin e prerjeve të paligjshme për pyjet, monitorimin mjedisor adekuat në gjithë pikat kufitare për ndalimin e ndotësve, monitorimin sistematik të cilësisë së ajrit në qytete dhe cilësisë së karburanteve.

Përfaqësuesit e organizatave ishin shumë kërkues gjatë diskutimeve mbi këtë program dhe dhanë rekomandimet e tyre se si mund të arrihet një mbështetje më e fuqishme nëpërmjet gjithëpërfshirjes qytetare dhe pjesëmarrëve të ekspertëve të fushës mjedisore në nismat dhe projektligjet për ruajtjen e mjedisit dhe çështje që lidhen me të. Pyetjes së drejtuar z.Malltezi nga përfaqësues të TFL në lidhje me format e ndërhyrjes së Partisë Demokratike ndaj qeverisë aktuale për rastet e shkeljeve mjedisore, ai sqaroi: “Kemi pasqyruar të gjitha skandalet mjedisore, u kemi bërë të njohur qytetarëve të gjitha rastet e këtyre shkeljeve dhe kemi adresuar 2 prej tyre në Prokurinë e Rrethit”.

Takime të tilla do të mbahen me përfaqësues të partive të tjera të cilët kanë shpallur programet e tyre për çështjen e mjedisit.

Print