Nis projekti i BE, publiku pjesëmarrës në vendimmarrjen e bashkive

Qytetarët duhet dhe mund të kenë një rol të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimeve nga autoritetet qendrore e vendore, por situata reale në Shqipëri shpeshherë nuk është kjo. Për të matur dhe për të ndihmuar në procesin e vendimmarrjes vendore do të nisë të zbatohet një projekt i veçantë i Bashkimit Europian në disa bashki të vendit. Projekti do të zbatohet nga “Lex Ferenda” në katër bashki dhe specifikisht në Urën Vajgurore, Përrenjas, Libohovë dhe Devoll.

Takimi i parë prezantues, në bashkëpunim edhe me partnerin vendor për Devollin, Qendra ACEG, u zhvillua në Bashkinë e Devollit, si një ndër katër njësitë vendore të zgjedhura për zbatimin e projektit. Ekspertët trajtuan me drejtuesit e Bashkisë së Devollit synimet e projektit dhe theksuan se përfitues të tij do të jenë qytetarët, administratat lokale dhe organizatat e shoqërisë civile. “Lex Ferenda” ka nisur zbatimin e projektit Pjesëmarrja e Publikut në Procesin e Vendimmarrjes Vendore (PPVV).

Projekti synon të japë kontribut në përmirësimin e procesit të politikëbërjes dhe vendimmarrjes vendore, në drejtim të cilësisë, gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Drejtuesi i “Lex Ferenda”-s, Besmir Beja, u shpreh se ndihma për përmirësimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është, më së shumti, e nevojshme në bashkitë më të vogla, që vuajnë nga mungesa e fondeve të duhura, burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe angazhimit e bashkëpunimit me shoqërinë civile, komunitetet lokale ose palët e interesuara.

Print