• Kreu
  • Të tjera
  • Të tjera
  • Liqeni i Pukës, mrekullia piktoreske dhe turistike

Liqeni i Pukës, mrekullia piktoreske dhe turistike

 Liqeni artificial i Pukës, së bashku me parkun e pishave është surpriza e radhës për vizitorët e huaj dhe vendas. Zona rekreative e Pukës, rrotull liqenit artificial, deri dje e kthyer në një gropë septike, sot falë rehabilitimit të kryer është shndërruar plotësisht dhe krijon veç të tjerash edhe një peizazh të harmonishëm alpin.

Qyteti i Pukës prej muajit Maj 2017 po përjeton një ndërhyrje të rëndësishme për rikualifikimin e qendrës së qytetit të Pukës dhe Liqenit të Vogël.

Investimi synon ta shndërrojë qytetin e Pukës dhe rrethinat e tij në një destinacion turistik gjithëvjetor nëpërmjet urbanizimit dhe rijetësimit të shesheve të qytetit dhe hapësirave përreth Liqenit të Vogël.

Projekti parashikon ndërhyrje në Sheshin para Bashkisë, i cili përbën pjesën më vitale të qytetit, pasi aty ndodhen institucione të rëndësishme administrative dhe kulturore. Sheshi do të jetë tërësisht këmbësor dhe në qendër të tij, do të vendoset një pasqyrë ujore.

 Puka shtrihet në qendër të Shqipërisë Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore, lëndina e livadhe që ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.

Print