Aktiviteti njerëzor


Sa ndot një shqiptar? – OKB: 2 ton CO2 për frymë, më pak se në vitin 1985

Të dhënat zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se një shqiptar mesatar e ndot vendin me rreth 2 ton dioksid karboni.

Paçka se në dukje kjo shifër është mjaft e lartë, në të vërtetë nuk është e tillë, po ta krahasojmë me mesataren globale apo edhe me vitet e kaluara. Mesatarja globale fiksohet në 5 ton për frymë. Por, ajo që duket me surprizuese është fakti se, ndotja për frymë sot është thuajse e njëjtë me vitin 1975, kur ishte në 1.9 ton për frymë, si dhe bindshëm poshtë nivelit të vitit 1985. Më shumë se tre dekada më parë, një shqiptar mesatar vlerësohet se “prodhonte” 2.7 ton dioksid karboni.

Pra, ndotja që vjen nga makinat, duket se është balancuar me zhvillimet e teknologjisë, sidomos në industri. Ndër të tjera, niveli mjaft i ulët i emetimit të dioksidit të karbonit lidhet ngushtë edhe me mungesën e një industrie të zhvilluar në vend. Kjo shpjegon mjaft mirë edhe faktin se mes viteve 1990 dhe 2000 niveli i ndotjes nga dioksidi i karbonit ka prekur minimumin historik deri në 0.7 ton për frymë. Asokohe, pra pas ndërrimit të sistemeve, industria në vend ka qenë thuajse inekzistente.

Krahasuar me rajonin rezulton se, Shqipëria është vendi me emetimin më të vogël të dioksidit të karbonit për frymë. Në Bosnje Hercegovinë fiksohet në 5.8 ton për frymë, në Mal të Zi 3.5 ton për frymë, Maqedoninë e Veriut 3.6 ton për frymë dhe në Serbi 4.3 ton për frymë. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.