Natyra


Propozimi, të ndryshohen kufijtë për zonat e mbrojtura në vend

Së fundmi është propozuar që kufijtë e zonave të mbrojtura në territorin shqiptar të ndryshohen.

Ky propozim është bërë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, pas një studimi që kjo e fundit ka bërë në të gjithë territorin e vendit, rezultatet e të cilit do të paraqiten në fund të 2019.

Sipas këtij studimi, propozohen kufijtë e ri, çka do të sjellë reduktim por dhe rritje të  sipërfaqes së zonave të mbrojtura.

Më konkretisht, do të reduktohet një pjesë e sipërfaqes të zonës së mbrojtur në Velipojë, në parkun Divjakë-Karavasta dhe Kune-Vaini.

Drejtori i AKZM, Zamir Dedej thotë se sipërfaqet që propozohen për tu hequr nga zonat e mbrojtura janë tokë bujqësore dhe tokë urbane.

“Në rezultatet që kanë bërë ekspertët na rezulton që 95% e tokës që ne duam të heqim nga zonat e mbrojtura, është tokë bujqësore që nuk e menaxhojmë ne, dhe tokë urbane pra zonë urbane. Të marrim një shembull, Ohri Pogradeci, peizazhi i mbrojtur i liqenit të Ohrit përfshin qytetin e Pogradecit, ne të zonës së mbrojtur nuk është se bëjmë ndonjë detyrim karshi për ta menaxhuar”, u shpreh drejtori i AKZM

Ndryshime do të ketë dhe në zonën e Alpeve ku kërkohet të përfshihet si zonë e mbrojtur edhe Vermoshi. Gjithashtu është propozuar që të futet në zonë të mbrojtur dhe Lumi i Shalës i cili është kthyer në një atraksion turistik.

“Shtimi kryesor ndodh në zonën e Alpeve, ku kërkohet të përfshihet Vermoshi si pjesë e re e zonës ekzistuese Valbonë-Theth-lumi i Gashit, do bashkohet dhe Vermoshi. Ka dhe një propozim të avancuar për pjesën e Shalës, për lumin Shala që është bërë një nga atraksionet e fundit turistike dhe ka një vlerë natyrore kombëtare shumë domethënëse. Është parë pra zona e Monellës si një zonë e re, është parë edhe zona e Vjosës”, tha Dedej.

Por 21 shoqata Mjedisore e Fushës së Mbrojtjes së Natyrës kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këto ndryshime, duke i dërguar një letër që mban datën 6 nëntor, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi,  për reduktimin e Zonave të Mbrojtura.

“Në mendojmë se kjo qasje e dytë dhe e përshpejtuar është e gabuar sepse AKZM dhe Ministria duhet të jenë garantuese të ruajtjes së integritetit dhe funksionalitetit ekologjik të Zonave të Mbrojtura dhe jo ndryshimit të tyre në përmbushje të kërkesave për zhvillim. Madje ne presim që institucionet e mësipërme të jenë pikërisht ato që duhet të mbrojnë territorin e ZM-ve nga kërkesat e palëve të tjera”, thuhet në letër.

Në lidhje më këtë shqetësim të shoqatave, drejtori i AKZM shprehet se pretendimet në lidhje me afatet kohore nuk i duken të drejta dhe se në fund do jetë qeveria ajo që do të marrë një vendim të Këshillit të Ministrave.

Nëse propozimi i AKZM do të pranohet, atëherë ndryshimet e reja pritet të vihen në zbatim në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.