Aktiviteti njerëzor


Hapet për 40 ditë gjuetia për dhelprën e kuqe

Qeveria Shqiptare për arsye të monitorimit shkencor pasvaksinal i cili po realizohet në kuadër të projektit për “Përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorit ndaj sëmundjeve zooteknike”, ka hapur gjuetinë e dhelprës së kuqe për 40 ditë. Këshilli i Ministrave vendosi që të lejojë gjuetinë e dhelprës së kuqe, me qëllim marrjen e kampioneve të dhelprës, e cila do të gjuhet në të gjithë vendin, me përjashtim të zonave të mbrojtura.

Në vendim bëhet me dije se, “brenda periudhës 10 dhjetor 2018 – 15 shkurt 2019, në ditët nga e hëna deri në të premten, duke filluar kjo gjueti nga dita që lëshohet autorizimi për këtë qëllim”.

Për marrjen e kampioneve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, të angazhohen në të gjithë vendin 39 (tridhjetë e nëntë) punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, që do të sigurojnë në total 324 (treqind e njëzet e katër) kampione të dhelprave të kuqe.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit pajis me autorizimin përkatës për marrjen e kampionëve të dhelprës së kuqe punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në çdo qark, brenda 5 (pesë) ditëve nga data që merr kërkesën për monitorim të dhelprave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për realizimin e fazës së dhjetë të projektit.

Gjatë të gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku të kryhet marrja e kampioneve të dhelprave, procesi do të kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, si dhe Policia e Shtetit.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.