Aktiviteti njerëzor


100 familje jetojnë mes kontaminimit nga mërkuri, te rënojat e ish-uzinës PVC

100 familje, rreth 1200 banorë janë të rrezikuar në zonën e ish-uzinës së sodës PVC në qytetin e Vlorës. Sipas mjekëve, territori ende bën pjesë në një zonë me ndotje të nivelit të lartë, më tepër ç’rregullime te banorët e kësaj zone vihen re me fillimin e sezonit pranveror, ku nxiten fenomene spastike dhe sëmundje dermatike por edhe ankesa të tjera të ndryshme përsa i përket shëndetit. Mbetjet e zhivës dhe të pesticideve të tjera me të cilat punonte uzina gati 35 vjet më parë ende janë të pranishme në gërmadhat e ish-uzinës.

Në kapacitetin e plotë të saj fabrika prodhonte 24.000 mijë ton sodë të kalcifikuar, 15.000 sodë dhe 10.000 Ton sodë PVC.

Uzina u vu në punë në vitin 1967 dhe përdorte qeliza mërkuri për të prodhuar sodë kaustikë dhe pvc.

Sipas të dhënave që jep Inspektorati Sanitar i Vlorës, temperaturat dhe reshjet e vazhdueshme, rënë ndër vite kanë ndikuar në vetëpastrimin e territorit dhe rënien e nivelit të ndotjes me zhivë, por pranojnë gjithsesi se ndotja ende ekziston. Territori i uzinës dhe përreth saj tashmë gjendet i populluar prej gati 25 vjetësh por për ndërtimin e banesave janë shfrytëzuar dhe materiale nga prishja e reparteve të uzinës, të cilat janë të ndotura me zhivë, madje ka dhe shtëpi të ndërtuara brenda gërmadhave.

Ndërsa banorët e parë kanë ardhur pas viteve ‘90, mbipopullimi vazhdoi i konsiderueshëm pas vitit ’97, ku shumë prej tyre janë të ardhur nga zonat rurale.

Për pastrimin e zonës BB (banka botërore) vuri në dispozicion 3 mln euro, projekt i Komitetit Evropian për pastrimin e zhivës në këtë zonë u miratua pas përcaktimit të saj si një nga 9 vendet më të ndotura në Shqipëri.

Pas studimeve të kryera në zonë, për shkallën e ndotjes së terrenit, Banka Botërore tha:

" Se ajo ka përcaktuar se zona e ish uzinës së Sodë PVC-së, e kthyer tashmë në një pjesë së saj në zonë informale me banime në pritje të legalizimeve dhe në një pjesë së saj me perspektivë zonë industriale. Ishte një nga më të ndoturat në vend, madje në top-listën e zonave të ndotura në shkallë vendi për këtë Banka Botërore vuri në dispozicion një fond prej 3 milion eurosh për pastrimin tërësor të zonës nga mbetjet e zhivës. Projekti parashikon disa stade të punimeve që do të finalizohen me pastrimin tërësor të kësaj zone, më parë do të hapet një gropë e madhe, e cila do të shtrohet me një shtresë argjili në fund të saj dhe në parete. Pas kësaj do të shtrohet një shtresë plasmasi e trashë me qëllim për të mos lejuar filtrimin e mbetjeve të rrezikshme në tokë apo në det, në zonë do të prishen disa nga godinat tashmë të mbetur si skelete, ndërsa inertet do të hidhen në gropën e hapur dhe të izoluar. Po ashtu do të largohen nga zona dhe një trashësi dherash dhe mbetjesh me një thellësi prej dy metrash, të cilat më pas të hidhen në gropën e hapur ku dhe do të kryhet izolimi i tyre duke e mbuluar të gjithë gropën. Në zonë parashikohet mbjellja me pemë e të gjithë territorit. Në zonën e pastruar do të hidhet dhe i pastër dhe i shkrifët dhe e gjithë sipërfaqja do të mbillet me gjelbërim dhe pemë”.

Në këtë sipërfaqe nuk do të lejohen të kryhen ndërtime por do përdoret vetëm për kënde lojërash apo ambiente për aktivitete të ndryshme kulturore apo artistike, në shërbim të komunitetit.

Por situate në terren sot prezantohet shumë ndryshe edhe pse projekti ka nisur implementimin në zonën e ish-Uzinës ka ende banorë që jetojnë brenda godinave.

Sakaq, mbetjet e rrezikshme janë ende të evidentueshme me sy të lirë në zonë.

“Ky shkrim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të O përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”

Projekti “Unë vendos për një të ardhme pa mërkur”- Zbatuar nga Qendra CRCD në partneritet me Qendrën EDEN. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.