Rrjedha e pritshme e 2020!Një parashikim për infrastrukturën, energjinë, mjedisin dhe shëndetësinë
A kemi shpresë se ekonomia e vendit do të ringjallet? Asgjë nuk mund të thuhet me siguri, por parashikimet e bazuara edhe në fondet e dhëna për degë të rëndësishme të ekonomisë nuk është se janë edhe aq optimiste.
Infrastruktura dhe energjetika që përbëjnë frymëmarrjen e ekonomisë prodhuese po vuajnë problemet e tyre si edhe një mungesë të investimeve qofshin të vendit e qofshin të huaja. Kjo e bën situatën e vitit në vijim të vështirë dhe të veçantë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka dritë në fund të tunelit. Mundësitë janë aty dhe ekonomia i ka të gjithë shenset për të bërë përpara, qofte edhe me hapa modeste.
INFRASTRUKTURA
Buxheti i vitit 2020 nuk mund të konsiderohet ai i infrastrukturës. Ministrja Belinda Balluku ka shprehur rezerva të mëdha në drejtim të fondeve të akodruara, pasi nuk është parashikuar asnjë fond për rrugë të reja.
Ndërkohë që, edhe për disa projekte të nisur mungon financimi, ku më kryesori është aksi Milot-Balldren, i cili do të financohet vetëm në rastin kur kontraktori do të realizojë 25% të punimeve.
Edhe një nga veprat më të rëndësishme hekurudhore, që është rehabilitimi i linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i një linje të re drejt Rinasit vihet në pikëpytje, pasi qeveria nuk ka akorduar vlerën e nevojshme për mbulimin e TVSH-së, që kap vlerën totale prej 16 mln euro.
Ndërkohë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është drejt shpalljes së kompanisë fituese që do të kryejë punimet. Në total BERZH do të financojë veprën me një hua prej 36 mln euro, ndërkohë që kosto totale e të gjithë projektit arrin në 90 mln euro. Por, pavarësisht mungesës së fondeve, gjatë 2020 pritet të nisin 3 projekte infrastrukturore madhore, përmes partneritetit publik-privat.
Aeroporti i Vlorës
Në fund të muajit dhjetor, u hap zyrtarisht gara ndërkombëtare për realizimin e kësaj vepre aeroportuale. Deri në datën 12 mars kompanitë e interesuara do të kenë mundësi të dorëzojnë ofertat e tyre, ndërkohë që Balluku ka shprehur bindjen se në datën 31 maj do të kenë nisur punimet.
Aeroporti parashikohet të ndërtohet përmes një kontrate të tipit BOT, që do të thotë se fillimisht kompania do të kryejë vetë financimin e veprës dhe pas 35 vitesh operimi do ia transferojë atë shtetit shqiptar. Sipas qeverisë, Vlora mbetet rajoni më i përshtatshëm për zhvillimin e aeroportit të ri në Shqipëri për shkak të zonës së tij më të gjerë bregdetare, bazës më të madhe ekonomike dhe intensitetit më të lartë të turizmit në krahasim me prefekturat e mbetura në Shqipëri. Mbetet të shpresojmë që planet në letër të bëhen realitet.
Rikthehet Thumanë-Rrogozhinë
Projekti i dytë madhor që pritet të nisë gjatë vitit 2020 është aksi Thumanë-Rrogozhinë, duke përmbyllur të gjithë korridorin blu. Në fakt, autostrada është një prej akseve më të përfolura në drejtim të kostove të larta të ndërtimit për 1 km rrugë.
Ministrja Balluku e ndërpreu procedurën e parë dhe sipas një interviste për “SCAN Magazine” ajo tha se “Praktikisht bëhet fjalë për një projekt të ri sepse ai që unë anulova ishte Thumanë-Kashar dhe u anulua kryesisht për këtë arsye: duke qenë se ne kishim ecur me planifikimin rrugor vendosëm që ky projekt të rishikohet dhe tani do të dalë në një formë tjetër”.
Tuneli i Llogarasë
Paketa e projekteve infrastrukturore madhore për vitin 2020 mbyllet me tunelin e Llogarasë. Për këtë vepër nuk janë dhënë shumë detaje, por ai shihet si një prej investimeve që do i japë një tjetër hov turizmit në jug të vendit, duke shkurtuar ndjeshëm distancat.
Ky është një prej investimeve, që parashikohet të ndërtohet në zonën e Vlorës, ku qeveria ka deklaruar se ka plane të mëdha. Ndërkohë që, edhe aksi Orikum-Dukat, që gjithashtu do të ndërtohet përmes partneriteti publik-privat është konsideruar si një parakusht për krijimin e kushteve të tunelit të Llogarasë.
ENERGJIA
Liberalizimi i tregut të energjisë
Viti 2020 mund të konsiderohet si tejet i rëndësishëm në drejtim të zhvillimeve në sektorin energjetik. Pas disa vitesh shtyrjesh e problematikash, duket se tashmë autoritetet janë të vendosur të mbështesin liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.
Por, në realitet ky proces, që nënkupton sigurimin e energjisë në treg të parregulluar nga vetë klientët, është pothuajse i panisur, duke qenë se vetëm disa biznese të lidhur me tensionin 110 kv dhe 20 biznese të lidhur në 35 KV tashmë arrijnë të sigurojnë vetë energjinë elektrike, pra duke shkpëtur ‘marrëdhëniet’ me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Për shkak të kësaj situate, në shkurt të vitit 2018 u miratuan disa ndryshime ligjore, që parashikuar shtyrjen e gjithë procesit me 2 vjet. Sipas të dhënave të përditësuar nga OSHEE, janë 90 biznese që janë të lidhur në tensionit 35 kv dhe 6500 biznese të tjerë, të lidhur në tensionin 20 kv.
Bursa e Energjisë
Paraleisht me liberalizimin e tregut të energjisë duhet të ngrihet edhe bursa e energjisë, që është një instrument pa të cilin nuk mund të kuptohet dalja e bizneseve në treg të lirë. Bursa e energjisë shihet si një ‘dyqan’, ku bizneset e dinë se cilat janë çmimet dhe sasia e energjisë që duan të shesin apo blejnë.
Pas shumë vonesash, në mbledhjen e datës 15 maj 2019 Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e “Bursës Shqiptare të Energjisë”, duke i hapur rrugën ngritjes së një prej instrumenteve më të rëndësishëm në tregun elektorenergjetik.
Vendimi i qeverisë erdhi pas më shumë se një viti ndryshimesh në ligjin “Për sektorin e energjisë”, që përcaktuan ndër të tjera, modelin e saj si një shoqëri aksionere që do të ngrihej nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Sipas deklaratave publike, bursa “do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut të ditës në avancë dhe të tregut të së njëjtës ditë.
Gazsjellësi TAP
Rrjedhja e gazit përmes TAP-it për qëllime tregtare planifikohet të nisë në tetor të vitit 2020, moment kur e gjithë infrastruktura deri në Itali pritet të jetë kolauduar dhe testuar. Pas kolaudimit të seksionit të parë, në javët dhe muajt në vijim do të vijojë gradualisht kalimi i gazit në seksione të tjera të tubacionit grek dhe më tej në Shqipëri dhe Itali.
Prenotimi i kapaciteteve të gazit natyror të Gazsjellësit TAP për tregun shqiptar për 10 vitet e ardhshme do të jetë në fokusin e dy kompanive shtetërore të naftës dhe gazit, Albpetrol dhe Albgaz. Tashmë është dakordësuar nisja e procedurës “Market Test”, e cila nënkupton prenotimin e kapaciteteve të gazit natyror të Gazsjellësit TAP për tregun shqiptar për periudhën 2020 – 2030. “Market Test”, bën të mundur sigurimin e volumeve të gazit për tregun shqiptar, të paktën 1.7 miliardë metër kub në vit, si për atë rezidencial-familjar, si atë industrial për ndërmarrjet shqiptare.
Gjithashtu, sipas një nioftimi të Albpetrol përdorimi i gazit është i rëndësishëm edhe për tregun strategjik të prodhimit të energjisë elektrike, siç është TEC-i i Vlorës apo ai i Korçës. Megjithatë, mbetete paqartë nëse relizimi i këtij të fundit është ende në diskutim, përsa kohë Ministria e Mjedisit dhe Turizmit anuloi lejen mjedisore, duke deklaruar se nuk përmushte standardet.
Zgjerohet kërkimi i naftës
Gjatë vitit 2020, kompania italiane ENI do të nisë operacionet e kërkimit të naftës në bllokun Dumrea. Pas fushatës së promovimit, të ndërmarrë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka nënshkruar marrëveshjen, të cilën e konsideroi si më fitimprurësen për buxhetin e shtetit.
Teksa iu referua rezervës së pritshme të konsiderueshme, kryeministri Edi Rama tha se kontrata e nënshkruar parashikon një përfitim më të madh të drejtpërdrejtë për shtetin. Gjithashtu, ajo siguron rritje së cilësisë së burimeve njerëzore në këtë sektor. CEO-s i kompanisë, tha se ENI ka kostot më të ulta në drejtim të operacioneve të kërkimit, ndërkohë që pritshmëritë janë për burime të bollshme.
Kompania ENI është e njohur për eksplorimet e kryera në Itali, ndërkohë që sipas faqes zyrtare të saj, që prej fillimit të operimit të saj, kryen aktivitete të kërkimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit në 43 vende.
Hidrocentrali i Skavicës
Gajtë vitit 2020 Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikon të ketë gati studimin e fizibilitetit për hidorecentarlin e Skavicës, duke i hapur rrugën ndërtimit të kësaj vepre të rëndësishme energjetike. Kosto e studimit kap vlerën e 1.5 mln euro, një fond që i është akorduar KESH-it nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, një instrument i Bashkimit Evropian.
Ndërkohë që studimi po realizohet nga grupi i konsulentëve të Konsorciumit IPF6 ( Infrastructure Project Facility). Sipas KESH, nisja e punës për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit dhe Vlerësimit të Ndikimit Social-Mjedisor, është vetëm hapi i parë i domosdoshëm, që do të mundësojë, projektin që përmbush pritshmërinë për një vepër që do të jetë pjesë përbërëse e kaskadës mbi lumin Drin, një kaskadë me qasje strategjike për sektorin e energjisë dhe ekonominë shqiptare. Hidroecentrali i Skavicës është projektuar që në vitin 1960, krahas hidreocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës mbi lumin Drin, por ai nuk u realizua asnjëherë.
MJEDISI DHE SHËNDETËSIA
Vendi i parë në Evropë, pa qese plastike
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit synon që prej datës 1 qershor të vitit 2020 të bëhet vendi i partë në Evropë, pa qese plastike. Referuar një drafti të nxjerrë për konsultim publik do të ndalohet përdorimi, hedhja ne treg, prodhimi, importimi, apo futja në territorin shqiptar i çdo lloj qeseje mbajtëse, qoftë edhe e bidegradueshme. Propozimet e nxjerra për konsultim parashikojnë dhe masën e gjobave për individët dhe subjeket që kapen në shkelje.
Më konkretisht, çdo person që hedh në treg, prodhon, importon, apo fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse, gjobitet nga 1 000 000 – 1 500 000 lekë. Ndërkohë që, çdo person që i përdor këto qese do të gjobitet me 30 mijë-100 mijë lekë. Megjithatë, paraprakisht prodhuesit shqiptarë kanë deklaruar se kjo masë do të sjellë një rënie të industrisë në vend, teksa do të ketë pasoja negative te punësimi, duke qenë se kjo industri punëson një numër të përgjithshëm prej 30 mijë vetësh.
Riorganizohet sistemi spitalor
Viti 2020 pritet të sjellë ndryshime thelbësore në drejtim të sistemit spitalore në vend. Ndërkohë që, spitalet private do të kenë mundësi të përfitojnë fonde publike për shërbime të ofruara në formën e paketave shëndetësore apo nëpërmjet partneritetit publik privat, si një e drejtë që do iu takojë me ligj. Gjithçka përcaktohet në një draft të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i cili riorganizon funksionimin e gjithë sistemit spitalor në vend.
Aktualisht, përmes një vendimi qeverie shteti financon 10 paketa shëndetësore në 5 spitale private, por nuk kanë munguar kritikat për kostifikimin e tyre apo ekspozimi i pacientëve ndaj pagesave, ndonëse parashikohet që ato të jenë 100% falas. Për herë të parë po diskutohet një projektiligji që sjell edhe konceptin e autonomisë financiare për spitalet, duke iu dhënë mundësinë këtyre institucioneve shëndetësore të krijojnë vetë të ardhura.
Gjithashtu, spitalet që do të përfitojnë këtë status do të kenë autonomi në drejtim të menaxhimit të burimeve njerëzore apo të investimeve që do të vendosin të kryejnë sipas nevojave të spitalit.
