Mbetjet


Ndalohen në Vlorë mbetje të rrezikshme nga Italia

Një sasi mbetjesh të rrezikshme të sjella ilegalisht nga Italia në Shqipëri u bllokua nga policia shqiptare mbrëmjen e së Enjtes në një traget të linjës Brindizi – Vlorë, rasti i parë i trafikut të mbetjeve të identifikuar në Shqipëri në shumë vite.

Policia publikoi njoftimin zyrtar në Facebook dhe tha se kishte marrë informacion në mënyrë operative. “…[në] një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri,” shkruhet në njoftimin e policisë. Gjashtë persona nga 28 në 71 vjeç, të identifikuar me inicialet K. Xh., A. Ç., A. G., F. T., E. Ç. Dhe Z. K., që të gjithë banues në Vlorë, u shpallën të arrestuar. Trageti i linjës u shpall i sekuestruar. Mes të arrestuarve raportohet se janë punonjës të tragetit dhe një pronar kompanie regjistruar si menaxhuese e mbetjeve metalike dhe tërheqjes së mbetjeve të anijeve që ankorohen në port.

Mbetja e rrezikshme e identifikuar paraprakisht nga policia është amianti, një silic që nëse gjendet në formën e pluhurit dhe futet në trupin e njeriut përmes kanaleve të frymëmarrjes, mund të shkaktojë kancer në mushkëri.

Për këtë arsye, amianti apo azbesti është ndaluar të përdoret prej shumë dekadash nëpër botë, por mbetjet e tij gjenden në ndërtesa të ngritura përpara se bota të kuptonte rrezikun që vjen nga kjo lëndë. Trajtimi i azbestit të nxjerrë nga ndërtesat e vjetra sipas procedurave standarde është i kushtueshëm dhe kjo duket se shtyn organizatat kriminale të kërkojnë rrugë të shkurtra të derdhjes së tij në mjedis në mënyrë të fshehtë.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.