Mbetjet


Turisti, leksion shqiptarëve. Pastron mbeturinat në Parkun Kombëtar të Lurës

“Nëse unë mundem, edhe ti mundesh”. Ka qenë mjaft domethënës gjesti dhe mesazhi i përcjellë nga një turist i huaj që ka shijuar bukuritë e parkut kombëtar të Lurës, por jo plehrat e hedhura aty.

“Ndodhem në njërin prej parqeve më të vizituara e më të paprekura ku mund të kem qenë ndonjëherë”, thotë ai në videon e hedhur në rrjetet sociale.

Por, ndërsa flet për natyrën e rrallë të parkut, turisti tregon sesi ka gjetur aty edhe mbeturina, përfshirë ato plastike.

“Kjo është çmenduri, shikoni këtu. Le ta pastrojmë këtë vend”, shprehet i huaji që vesh dorezat e nis të pastrojë zonën ku ndodhet. Në fund, mbush një qese plot.

Videoja është praktikisht një mesazh sensibilizimi për atë që mbetet një fenomen shqetësues në vendin tonë e që i ka rënë padyshim në sy mjaft të huajve të cilët e vizitojnë Shqipërinë të joshur nga natyra e saj e bukur. Shumica e komentuesve e kanë përshëndetur veprimin e turistit dhe tërheqin vëmendjen tek nevoja e ndërgjegjësimit dhe personal për mbajtjen e ambjentit të përbashkët pastër.

Në çeljen e sezonit turistik vitin e kaluar, mjedisi u shfaq në shumë zona si një prej problemeve më të mëdha. Ndotja e lumenjve dhe plazheve nga mbetjet urbane mbetet një shqetësim që, sipas specialistëve, kërkon një zgjidhje të qëndrueshme.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.