Natyra


Parku Kombëtar Divjakë Karavasta “pushtohet” nga 1 000 çifte të çafkës së vogël të bardhë dhe karabullakëve

Rreth 1 000 çifte të çafkës së vogël të bardhë dhe karabullakëve po folenizojnë në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi teksa shpërndau lajmin apeloi të gjithë qytetarët që mund të vizitojnë zonën të shmangin çdo shqetësim të tyre.

“Gjejmë rastin të kërkojmë sërish bashkëpunimin e qytetarëve për shmangien e plotë të shqetësimit në zonën e kolonisë. Çdo shqetësim në fazën e folenizimit është kritik për koloninë”, tha Klosi.

Parku”Divjakë-Karavasta” është një park kombëtar dhe zonë e mbrojtur natyrore i cili ndodhet në qarkun e Fierit, në rrethet Lushnjë, Fier e Kavajë.

Me një sipërfaqe prej 22 230 ha është pa dyshim zona më e rëndësishme përgjatë zonës bregdetare të vendit dhe nga më të rëndësishmet në Mesdhe.

Përgjatë deltave takohet gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra).

Përhapje ka dhe çakalli, dhelpra, baldosa, etj. Parku dhe zona rreth tij ka vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.

Në brendësi të saj ka dhe ishuj të vegjël, në të cilin folenizojnë shpendët. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5 % të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore.

E veçantë është dhe prania e disa qindra çifteve të dallëndysheve të detit.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.