Natyra


Krilla me çafkë, shpendi më i ri në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

Një lloj i ri shpendi për Shqipërinë, krilla me çafkë apo zonja krillë (Anthropoides virgo), u vrojtua ditët e fundit pranë kufijve veriorë të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Ky shpend u vrojtua nga gazetari dhe kundruesi i shpendëve, Louis Seiller më 16 maj.

“Falënderojmë Louis Seiller për ndarjen me ne të këtij vrojtimi tepër interesant që e rrit listën e shpendëve të Shqipërisë me një lloj dhe një gjini të re, duke i çuar përkatësisht në 363 lloje dhe 197 gjini”, – bën të ditur  “Shpendët e Shqipërisë”.

Hapësira më e afërt e folezimit të këtij lloji me vendin tonë është skaji veri-lindor i Detit të Zi, më tej kjo hapësirë shtrihet në të gjithë Azinë Qendrore dhe në një pjesë të Azisë Lindore.

Ky lloj dimëron në gadishullin Indian dhe në disa vende të Afrikës sikurse janë Etiopia, Sudani, Sudani i Jugut dhe Çadi. Gjatë shtegtimit, shihet në të gjitha vendet që lagen nga Deti i Zi, si dhe padyshim në Lindjen e Mesme dhe sërish në hapësirat jugore midis zonave të folezimit dhe gadishullit Indian.

“Këtu kemi të bëjmë me një individ të arrirë që ka ndaluar në vendin tonë gjatë shtegtimit drejt hapësirave të folezimit, jo krejtësisht rastësisht në një zonë ku harmonia, larmia e habitateve dhe harmonia e përdorimit të tyre është e admirueshme. Kjo mëshirohet veçanërisht në praktikimin e bujqësisë pothuajse organike (pa kimikate) dhe me një diversitet të lartë të kulturave të kultivuara”, – shprehet “Shpendët e Shqipërisë”.

Ky shpend njihet si fatsjellës në shumicën e vendeve në të cilat haset dhe shpresojmë që ardhja e tij të sjellë fat për ruajtjen e natyrës sonë, që është një prej krenarive dhe pasurive më të mëdha kombëtare dhe përbën një prej copëzave më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore të Europës.

“Shpresojmë shumë, që shfaqja e këtij shpendi, të sjellë fat për mënjanimin e planeve të betonizimit të zonave të mbrojtura, xhevahireve të natyrës sonë, të Europës dhe mbarë botës”, thekson “Shpendët e Shqipërisë”.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.