Mbetjet


Plehrat në Sharrë ose Bushat, plani për të shpëtuar Durrësin nga katastrofa

Durrësi mbetet në prag të katastrofës mjedisore, pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos dhe dështimit për ti dërguar në Sharrë. Mbetjet ndërkohë po dërgohen në Manzë ku banorët janë ngritur në protestë, ndërsa në Durrës, kazanëve iu vu flaka. Në mbrëmje prej Kryeministrisë u ndez një dritë shprese, pasi plehrat do të dërgohen në Sharrë dhe Bushat.

Pas  më shumë se një javë protestash dhe një kolapsi sa i përket menaxhimit të mbetjeve në Durrës, situata po shkon drejt zgjidhjes. Burimet kanë bërë të ditur se pas një takimi në Kryeministri mësohet se është vendosur që mbetjet të dërgohen në Sharrë, teksa një tjetër variant është dhe transportimi drejt Bushatit në Shkodër.

Këtë të hënë, mbetjet urbane sërish nuk u pastruan në një pjesë të Durrësit

Siç tregojnë pamjet, kontejnerët e mbetjeve ishin plotë në disa zona të qytetit, çka ka ngjallur reagime të forta nga qytetarët që thonë se po u rrezikohet shëndeti.

Pas mbylljes së Porto Romanos, Bashkia e Durrësit nisi të dërgojë mbetjet në vendgrumbullimin e Manzës, por mungesa e hapësirës atje dhe reagimet e ashpra të banorëve detyrojnë zgjidhje tjetër.

Partia Demokratike përmes kryetarit të Degës, Ferdinand Xhaferri, e cilësoi situatën në Durrës dështim të qeverisë dhe hodhi akuza ndaj ish- kryebashkiakut Vangjush Dako. Ndaj paralajmëroi denoncim.

Durrësi ndodhet prej një jave në prag të katastrofës mjedisore për dështimit të menaxhimin e mbetjeve, ndërsa mbrëmjen e së dielës pati reagime të forta nga qytetarët.

Banorët e Manzës protestuan duke bllokuar rrugën, ndërsa në periferi të Durrësit iu vu flaka kazanëve të mbetjeve.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.