Mbetjet


Prokuroria hap hetime për derdhjen e naftës në Porto Romano

Prokuroria e Durrësit i ka fokusuar hetimet për ndotjen mjedisore në Porto Romano në dyshimet se është shpërdoruar detyra dhe janë ndotur ujërat.

Në mesin e muajit prill në Porto-Romano u derdhën qindra litra naftë në det si pasojë e një aksidenti në depozitat e naftës pranë portit të hidrokarbureve në Durrës, të cilat kërcënuan burimet e ujit të pijshëm, florën dhe faunën e zonës.

Dy muaj pas ngjarjes BIRN mësoi përmes në kërkese për të drejtë informimi se Prokuroria e Durrësit ka regjistruar procedimin penal me numër 704 më datë 21 prill mbi bazën e referimit nga drejtoria vendore e policisë.

“Deri më tani dyshimet janë se ngjarja është aksidentale, po nuk përjashtohen edhe pistat e tjera të derdhjes së qëllimshme të saj, por një rezultat të plotë do ta kemi në përfundim të hetimit”, shpjegoi për BIRN prokurori i çështjes, Madrid Kullolli.

Prokuroria pohoi se kompania e cila po hetohet dhe nga depozitat e së cilës u derdh sasia e naftës është “Gega Oil”, e cila ka kallëzuar punonjësin përgjegjës për shkarkimin e naftës nga anija në depozitat e hidrokarbureve në Porto-Romano.

Hetimi i prokurorisë është fokusuar tek dyshimet për shpërdorim detyre nga punonjësi me detyrë mekanik, i ngarkuar për shkarkimin e naftës dhe mbi kompaninë, teksa hetimi po analizon përgjegjësitë e saj dhe praktikat e ndjekura vazhdimisht.

Hetimi përfshin gjithashtu veprën penale “Ndotja e ujërave”, pasi dyshohet se dhjetëra fuçi nafte u derdhën nga depozita pranë bregdetit të Durrësit.

Ndotja u konstatua përgjatë disa kilometrave në kanalet bujqësore që shërbejnë për kullimin e tokave, që dikur i përkisnin kënetës së bonifikuar të Durrësit. Kanalet shkarkohen më pas në detin Adriatik përmes hidrovorit dhe rrjedhjes së lirë drejt ligatinës së Kepit të Palit.

Inspektorati i Mjedisit në Durrës bëri me dije në muajin prill se për aksidentin në depozitat e naftës u njoftuan nga kompania, me pretendimin se i ishte dëmtuar valvula kryesore ku kalon nafta, për të cilën sipas saj u morën masat dhe u riparua.

Ekspertët e mjedisit vlerësuan se hidrokarburet janë toksike për faunën dhe se autoritet duhet të vlerësonin përqendrimin e tyre pas derdhjes së konstatuar në kanalin kullues dhe ujërat bregdetare.

“Kemi marrë në 2 herë të ndryshme mostra të lëngjeve pranë terminalit të hidrokarbureve për të matur parametrat fiziko-kimike që të njihemi me nivelin e ndotjes dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve laboratorike”, shpjegoi drejtuesi i hetimit, Madrid Kullolli.

Më herët përfaqësuesja e “Gega Oil” mohoi që nafta e derdhur të ishte e kompanisë së saj dhe nënvizoi se fakti se në atë kohë po shkarkohej një anije me naftë e kësaj kompanie ishte rastësi, ndërkohë që institucionet dhe Prokuroria e Durrësit pohuan se kompania ka shkaktuar ndotjen dhe po hetohet.

Ndërsa shumica e qytetit të Durrësit ishte e mbyllur në shtëpi për shkak të masave të distancimit social që synonin të parandalonin epideminë e SARS-CoV-2, banorët e lagjes që gjendet pranë portit të hidrokarbureve dhe depozitave të naftës në Porto-Romano për disa ditë mblodhën naftën në kanalin vaditës që derdhet më pas në Detin Adriatik.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.