Të tjera


Devoll Hydropower: Po prodhojmë në Moglicë, pandemia çrregulloi tregun

Këtë vit në kaskadën e Devollit filloi prodhimin hidrocentrali i Moglicës, më i madhi hidrocentral në vend pas atyre mbi kaskadën e Drinit, i ndërtuar nga norvegjezët e Statkraft. Investimi 590 milionë euro për HEC-in e Banjës, që ka vite në prodhim dhe atë të Moglicës, i cili nisi vetëm pak javë më parë operimet tregtare pritet të japë një efekt të dukshëm në tërësi në sektor.

Vetëm Moglica parashikohet të rrisë me 17% prodhimin e energjisë në vend. Por përpos faktit që mbushja e rezervuarit të Moglicës kufizoi disi prodhimin në Banjë, faktit që nuk kemi një vit të mirë hidrik, edhe pandemia ka dhënë efektet e saj negative. Për Devoll Hydropower kjo situatë krijoi të papritura dhe çrregullime në treg, ndërkohë që ka sjellë pasiguri për të bërë parashikime, tha kompania në një prononcim zyrtar.

Ju niset operimin tregtar të HEC Moglicë,i cili është investimi më i madh privat në hidro. Si po shkon puna aktualisht në këtë hidrocentral?

Hidrocentrali i Moglicës sapo ka nisur operimet tregtare, dhe parë në kontekstin e jetëgjatësisë së planifikuar të tij, është në hapat e parë të jetës. HEC Moglicë tashmë operon i integruar me HEC Banjë, i unifikuar si pjesë e kaskadës së Devollit. Ka një ekip të vetëm dhe një qendër kontrolli që i operon dhe mirëmban të dy hidrocentralet.

Aktualisht puna vijon sipas planit, dhe turbinat Francis të Hidrocentralit të Moglicës prodhojnë energji të rinovueshme sipas nevojave që përcaktohen nga departamenti ynë i operimeve dhe tregtimit të energjisë. Megjithatë, pavarësisht se kanë nisur operime tregtare, disa punime përfundimtare lidhur me këtë hidrocentral vazhdojnë, dhe planifikohet brenda vitit të kenë përfunduar tërësisht.

Si ka qenë prodhimi nga dy HEC-et në këta 6 muaj dhe si e prisni vitin 2020 nga ajo që shihni deri tani?

HEC Moglicë ka injektuar në treg një prodhim të reduktuar gjatë kësaj periudhe, pasi sapo ka filluar prodhimin. Edhe prodhimi nga HEC Banjë ka qenë në nivele më të reduktuara se vitet e shkuara, kryesisht për shkak të prurjeve të ulëta të lumit Devoll nga mbushja e rezervuarit të Moglicës, reshjeve nën mesatare dhe gjithashtu kushteve jo të favorshme të tregut të krijuara nga pandemia e COVID-19.

Vazhdojmë të ndjekim me vëmendje ecurinë e tregut të energjisë, veçanërisht në kuadër të pasojave nga situata e pandemisë. Pjesa e mbetur e 2020-s do na shërbejë edhe për të optimizuar më tej operimin e kaskadës në mënyrë sa më eficiente.

Si e ka ndikuar sektorin e energjisë në përgjithësi dhe në veçanti kompaninë tuaj situata e COVID-19?

Pasojat e pandemisë kanë dhënë efekte të menjëhershme në sektorin e energjisë, me pasojën më kryesore direkte në uljen e kërkesës për energji dhe çrregullimeve të paparashikuara në treg. Tronditja e menjëhershme e tregut, ka sjellë pasiguri në projeksionet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimeve të tij.

Sa i përket kompanisë sonë, pandemia filloi përhapjen kur ishim në pikun e testimeve dhe kolaudimit të Hidrocentralit të Moglicës. Kufizimet që u aplikuan në shumë vende na ndikuan edhe ne, megjithatë, ekspertiza e nevojshme është ndodhur gjatë gjithë kohës në terren për të ndjekur dhe për të siguruar që operimi tregtar nga Hidrocentrali i Moglicës të fillojë në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas planit. Hasëm disa vonesa dhe vështirësi shtesë gjatë kësaj periudhe, por zhvillimet janë mirëmenaxhuar, dhe nuk kanë shkaktuar pasoja të qenësishme.

Situata e pandemisë na bëri të vëmë në veprim planet e reagimit në situata të emergjencës, dhe deri tani, gjërat kanë vazhduar rregullisht. Dhe natyrisht që procedurat dhe proceset tona po i përshtaten një realiteti të ri operimi dhe një tregu me nivel të shtuar risku.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.