Aktiviteti njerëzor


Hysi: Ashpërsim të dënimeve për krimet mjedisore

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi kërkoi sot ashpërsim të dënimeve për krimet mjedisore.

Duke folur sot në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për aderimin në amendamentin DOHA të Protokollit të Kiotos të Konventës kuadër të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike”, Hysi tha se, “Shqipëria ka marrë një angazhim në kuadër të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm “Axhenda 2030” dhe objektivi 13 ka të bëjë me marrjen e masave për të luftuar ndryshimet klimaterike dhe efektet e saj”.

“Sot ne jemi dëshmitarë të veprimeve të papërgjegjshme të njerëzve që në kushtet e thatësirës u kanë vënë flakën pyjeve, kullotave. Sot ne kemi forcat e emergjencave civile, bashkitë, të cilat me të gjithë kapacitetet e tyre, me përkushtimin po luftojnë të vetme për të përballuar këtë situatë”, tha Hysi.

Ajo u shpreh se, “kjo situatë nuk duhet të tolerohet më dhe ne si parlamentarë kemi 3 përgjegjësi”.

“E para të monitorojmë zbatimin e ligjeve. E dyta, nëse ka nevojë për ndryshime në Kodin Penal, të ashpërsojmë dënimet për krimet mjedisore. Sepse është qesharake të djegësh një pyll të tërë, një vend i cili do qindra vite të bëhet dhe të dënohesh me gjoba që nuk kushton as edhe një drekë e zakonshme në restorantin më të thjeshtë të një qyteti jo të kategorisë së parë. E treta, sot unë kam një apel për të gjithë qytetarët për të denoncuar të gjitha abuzuesit dhe shkatërruesit  e mjedisit. Po të mos harrojmë shumë biznese private të cilat derdhin në ujërat e vendit, në shumë qytete mbetjet dhe kontaminojnë ujërat dhe pasuritë e qytetarëve”, tha Hysi.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.