Mbetjet


Kim në Sarandë: Pastrimi i mjedisit ka të bëjë me demokracinë, dinjitetin dhe biznesin

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kërkoi sot nga qytetarët që të tregohen të përgjegjshëm në respektimin dhe mbajtjen pastër të mjedisit.

Nga qyteti i Sarandës, ku po zhvillon një vizitë Kim ka vizituar një grup personash të cilët po pastronin detin nga gomat që ndodheshin në fund të tij, Kim tha se, “jam shumë e lumtur që rikthehem në Sarandë. Kam qenë këtu rreth 2 apo 3 muaj më parë dhe është kënaqësi që rikthehem. Erdha ta vëzhgoja këtë aktivitet, sepse mendoj që është shumë e rëndësishme për tri arsye, sepse për mua kjo ka të bëjë me demokracinë, dinjitetin dhe biznesin”.

“Një nga gjërat që vërej sa herë udhëtoj rreth e qark Shqipërisë është që është shumë e bukur. Plazhet, malet, gjithë vendet historike, vende të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore historike të UNESCO-s, janë të gjitha të bukura. Por kjo bukuri shqetësohet nga mbeturinat, nga plehrat. Dhe për mua mbeturinat të cilat mund t’i shikosh anë e mbanë vendit, mund t’i shikosh ndoshta dhe në ujë është njësoj sikur t’i shohësh në fytyrë. Sepse sa herë hedh përdhe plehra në vendin tënd është njësoj si të hedhësh plehra në fytyrën tënde. Për këtë arsye mendoj që është e rëndësishme për dinjitetin e gjithsecilit që të ketë një fytyrë të pastër”, u shpreh Kim.

“Jam shumë e kënaqur që ky grup personash të cilët përfaqësojnë shqiptarë të zakonshëm, të cilët bëjnë punë të ndryshme dhe vijnë nga qytete të ndryshme të vendit. Ata vërtetën të njëjtin problem, nuk vendosën thjesht të ankohen, por vendosën të ndërmarrin veprime. Mendoj se kjo ka lidhje me atë që thashë më parë, që ka lidhje me dinjitetin demokracinë dhe aktivizimin qytetar”, shtoi ambasadorja Kim.

“Mendoj pika e fundit ka lidhje me biznesin sepse kur t’i pastron diçka njerëzit do të duan të vijnë në Shqipëri, do duan të kthehen në Sarandë. Kështu që sa herë pastroni në këtë mënyrë, sa herë qytetarët bëhen bashkë për të bërë një pastrim të tillë, nuk është thjesht diçka që ka lidhje me të bërit një veprim të mirë, por është diçka me mençur. Dhe mendoj që është e rëndësishme që më shumë qytetarë të përfshihen, sepse ju keni fuqinë, por gjithashtu keni përgjegjësinë nëse shihni një problem thjesht ndreqeni”, tha ajo.

E pyetur mbi përgjegjësinë e qeverisjes lokale Kim tha se, “mendoj se gjithë secili ka një rol për të luajtur dhe të gjithë kanë një përgjegjësi dhe ata e dinë se cila është përgjegjësia e tyre. Është e drejtë që qytetarët të mbajnë llogaridhënës personat që zgjedhin. Dhe është po aq e rëndësishme që qeveria të tregojë se çfarë është duke bërë për të qenë transparentë. Dhe me këtë rast, ajo që kam mësuar është që, bashkia e Sarandës është ajo që do të mundësojë largimin e mbeturinave që janë gjetur brenda detit, duke vënë në dispozicion kamionët e pastrimit. Kështu që kjo është një gjë e mirë”.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.