Natyra


Gjirokastër, forcim i masave për parandalimin e shfrytëzimeve të paligjshme të burimeve natyrore

Respektimi i kuadrit ligjor e normativ në fushën e mjedisit dhe territorit në qarkun e Gjirokastrës ishte sot në qendër të një takimi të organizuar nga Prefektura e qarkut.

Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, strukturave vendore të policisë dhe Inspektorati  Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit Gjirokastër, për parandalimin me çdo kusht të veprimtarive dhe shfrytëzimeve të paligjshme të burimeve natyrore në kurriz të qytetarëve, duke u bërë shkas për ngadalësimin e zhvillimit ekonomik dhe atë turistik të zonës.

Në fokus të diskutimeve nga ana e kryetarëve të njësive të vetëqeverisjes vendore janë adresuar të gjitha ato problematika mjedisore, të cilat janë të pranishme në territorin e bashkisë që ata drejtojnë, duke cilësuar jo pak pengesa në zgjidhjen apo menaxhimin e tyre si mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe rehabilitimi i zonave të degraduara, grumbullimi dhe përpunimi i diferencuar i mbetjeve, mirëmbajtja e sistemeve të ujitjes dhe kullimit, shfrytëzimi i inerteve të lumenjve etj.

Lidhur me trajtimin e këtyre problematikave Prefekti i qarkut, Astrit Aliaj, nëpërmjet rekomandimeve përkatëse, ka kërkuar marrjen e masave dhe trajtimin me prioritet të tyre në funksion të rigjenerimit urban, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

“Pavarësisht periudhës së vështirë që jemi duke përjetuar të shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe marrjes së masave për përballimin e valës së shtuar të numrit të të prekurve në qarkun tonë, nuk duhet të lëmë pas dore edhe çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me shëndetin e njeriut si përdorimi racional i burimeve natyrore dhe mirëmenaxhimi i grumbullimit të mbetjeve urbane dhe atyre inerte”, tha prefekti Aliaj.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.