Aktiviteti njerëzor


Bypass-i i Shkodrës, projekti i zvarritur një dekadë shqetëson aktivistët mjedisorë

Qeveria njoftoi në mes të shtatorit se do të shpronësonte një grup familjesh që prekeshin nga bypass-i i Shkodrës dhe po ashtu rifillimin e punimeve, por aktivistët mjedisorë ankohen se projekti  i mbetur përgjysmë po shkatërron ekosistemin e lumit Buna dhe të liqenit të Shkodrës.

Bypass-i i Shkodrës, i cili mendohet se do ta ndihmojë qytetin verior të mbrohet nga përmbytjet e lumit Buna, u projektua në vitin 2010 dhe punimet u përuruan në vitin 2011, ndërsa vendi drejtohej ende nga Partia Demokratike.

Por pas një dekade dhe dy mandateve të socialistëve, ndërhyrja në infrastrukturë – ashtu si shumë simotra në të gjithë vendin, ende nuk ka përfunduar, kryesisht për shkak të ndryshimeve në projekt dhe problemeve me shpronësimet.

Kryeministri Edi Rama vizitoi atë në 10 shtator dhe akuzoi sërish paraardhësit për zvarritjen dhe  projekteve- edhe pse ka tashmë gati 8 vite në pushtet. Ai njoftoi gjithashtu edhe rifillimin e punimeve. Me 16 shtator qeveria njoftoi një fond prej 304 milion lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i rrugës.

Por rivënia në lëvizje e qeverisë për të përfunduar projektin, ka ngjallur shqetësim mes aktivistëve mjedisorë në Shkodër.

Specialistja e mjedisit Aurora Piroviq, thotë se  projekti ka krijuar tashmë probleme dhe kjo nuk pritej të përmirësohej me përfundimin e tij.

“Bypass-i ndikon negativisht në mjedis pasi shkakton dëme në rrjedhjen e ujit, pengon rrjedhën normale të lumit Buna,” theksoi ajo.

Bashkia e Shkodrës po ashtu është bërë bashkë me aktivistët, ndërsa pretendon se një pjesë e rrugës e mbetur pezull ka kënetëzuar tokën përreth dhe se ai nuk do ta kryente funksionin e planifikuar për të mbrojtur qytetin nga përmbytjet.

Bypass-i ishte parashikuar të kushtonte 1 miliard e 870 milion lekë në vitin 2011 dhe është financuar deri në vitin 2017 me rreth 734 milion lekë. Pjesa tjetër e investimit do të bëhej në vijim. Kostos iu shtuan edhe 304 milion lekë që qeveria caktoi sëfundmi për shpronësime.

Zvarritje dhe probleme të mjedisit

Tre vjet më parë, në një vizitë të ngjashme për të parë punimet e “bypass-it” në Shkodër, kryeministri Edi Rama e cilësoi projektin “një masakër të bërë nga shteti”. Ai tha atëherë se kishte ngritur një grup ekspertësh dhe arsyetoi se ndërtimi i bypass-it, “verbonte komplet Liqenin e Shkodrës”.

Njësoj si Rama mendonte atëherë edhe Bashkia Shkodër. Në një prezantim për Planin e Përgjithshëm Vendor ekspertët e bashkisë vënë në dukje se bypass-i nuk do ta kryente funksionin e ndalimit të përmbytjeve dhe mund të krijonte probleme për largimin e ujit nga qyteti. Ata shtojnë se pirgjet e zhavorrit të mbetura pezull prej vitesh, degradimin e projektit të papërfunduar, si dhe faktin se pranë shëtitores kishte “filluar kënetëzimi”.

Por tre vjet më pas, kur u rikthye në 10 shtator kryeministri Rama duket se kishte ndryshuar mendje. Ai ironizoi kryetaren e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, të mbetur në detyrë pas dështimit të zgjedhjeve të vitit 2019 në atë bashki pasi kandidati i vetëm në garë nga ana e Partisë Socialiste u tërhoq kur u gjet se nuk kishte deklaruar një dënim në Itali.

“Syri i shqetësuar i Voltanës duhet të japë prova që meriton përgjigje, sepse kur sheh atë “Zimbabven” atje të rrëqethet mishi”, tha Rama, duke iu referuar kritikave nga bashkia për bllokimin e pamjes së liqenit.

Përndryshe nga sa deklaroi në vitin 2017 Rama e mbrojti projektin, duke theksuar se ai nuk krijonte asnjë problem peizazhit dhe se ishte sugjerimi i ekspertëve.

Por specialistë mjedisorë lokalë i thanë BIRN se projekti kishte krijuar tashmë shqetësime për mjedisin dhe se ai duhej të ndryshonte. Ekologjisti Mirsad Basha tha se “bypass-i në hyrje të qytetit e ka ulur me 3 gradë temperaturën e ujit në lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës duke ndikuar negativisht në ekosistem”.

Ai tha se kjo kishte ndodhur për shkak të pengesës në qarkullimin e ujit, ndërsa cilësoi ndërhyrjen në ekosistem edhe hedhjen masive të zhavorrit e gurëve që ishin marrë në lumin Kir.

Po ashtu Aurora Dibra, pedagoge e botanikës në Universitetin e Shkodrës thotë se bypass-i  rrezikon të dëmtojë më shumë atë pjesë të qytetit të Shkodrës që preket prej tij, pasi “nuk lejon kalimin normal të ujit”. Ajo tha se ndërtimi nuk i shërbente as edhe qëllimit për të cilin ishte nisur dhe se nuk mund t’i evitonte përmbytjet.

Ndërkohë zvarritja e projektit ka krijuar probleme shtesë, pasi një pjesë e punës sipas zyrtarëve të Bashkisë Shkodër ka degraduar tashmë. Gjatë vizitës në Shkodër bashkë me Ramën ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pranoi se prej vitit 2011 nuk ishte përfunduar as gjysma e punimeve.

“Në lotin e parë punimet kanë arritur në 66% të volumeve të përfunduara, në lotin e dytë, edhe pse është më i shkurtër, për shkak të komplikacioneve që kemi patur me projektin kemi arritur në 44% të volumeve të punës”, u shpreh Balluku. 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.