Natyra


OPTIMIZËM PËR POPULLATËN E KALIT TË QYQES NË BALLKAN

Ekipet e monitorimit në terren publikojnë të dhënat për vitin 2020.

Monitorimi i popullatës së kalit të qyqes është një iniciativë që grupe studimore, (nga 14 vende të Ballkanit, Afrikës dhe Lindjes së Mesme), në kuadër të projektit të LIFE “Jetë e Re për Kalin e Qyqes”, ndërmarrin vit pas viti për të identifikuar ndryshimet në popullatë apo dhe në shpërndarjen e territoreve në vendet e Ballkanit apo Afrikë. Ky monitorim shërben për të kuptuar ecurinë dhe për të identifikuar masat që duhen marrë për rimëkëmbjen e popullatës së kësaj shkabe, e cila mbart statusin e rrezikuar, sipas IUCN-s.

Monitorimi i kalit të qyqes (Neophron percnopterus) në Shqipëri, si çdo vit, është një aktivitet impenjues, i cili kërkon kohë të gjatë dedikimi në territoret e folezimit, për të gjeneruar të dhënat e nevojshme, si territoret e zëna, numri i çifteve apo individëve, të vegjlit e çelur, etj. Në përfundim të këtij procesi, grupi i punës, PPNEA dhe AOS shpallin rezultatet e mëposhtme:

Në Shqipëri vazhdojnë të mbeten 9-të territore të zënë, sikurse, në tre vitet e mëparshme. 6 territore janë të zënë nga çifte dhe 3 nga individë të vetmuar. Edhe pse një numër i njëjtë territoresh, fatkeqësisht është vënë re humbje e një territori të vjetër si dhe njëkohësisht, fatmirësisht, është raportuar rasti i një territori të ri, çfarë ka bërë që numri i territoreve të zënë të qëndrojë i njëjtë me vitet e kaluara. Në nivel Ballkani u monitorua një rritje me 9% në numrin e çifteve, 2 prej të cilave u identifikuan në Bullgari, 1 në Shqipëri dhe 1 tjetër në Greqi. Fatkeqësisht, dhe numri i individëve të çelur e të aftë për të fluturuar ishte më i ulët se vitin e kaluar.

Helmimi mbetet përsëri një nga faktorët kryesorë të uljes drastike të popullatës së Kalit të qyqes në Ballkan. Gjithashtu, elektroshoku, përplasja me infrastrukturën energjitike dhe shqetësimi gjatë sezonit të folezimit janë kërcënime të cilat vështirësojnë mbijetesën e këtij lloji. Në këtë drejtim, studiues nga të gjitha vendet partnere kanë bashkuar forcat për të zbatuar masa konkrete për parandalimin dhe minimizimin e këtyre rreziqeve, si në territoret e folezimit, ashtu edhe përgjatë rrugëtimit të Kalit të qyqes gjatë shtegtimit.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.