Vullnetarët pastrojnë lumin më të ndotur në botë
Rreth 200
aktivistë shqiptarë e të huaj të organizatës River CleanUp u mblodhën për
pastrimin e grykëderdhjes së lumit Ishëm, i konsideruar lumi më i ndotur në
Evropë.
Një banor i zonës
ofroi zetorin e tij për të transportuar aktivistët mes rrugës së vështirë që të
çon drejt grykëderdhjes së lumit, ku qindra kilogramë mbetje shtrihen buzë
detit Adriatik.
Të rinjtë kanë realizuar mbledhjen e 600 thasëve me plastikë dhe mbetje të tjera, përfshire edhe ato
mjekësore, të cilat më pas do të diferencohen sipas kategorive dhe do të
riciklohen.
Përfaqësues të
River CleanUp nga Belgjika shpjeguan se kjo organizatë zgjedh në çdo kontinent
lumin më të ndotur dhe ndërhyjnë për ta pastruar, duke punuar në tre shtylla
kryesore: ndërgjegjësim, bashkëpunim me institucionet, përfshirë ato të
edukimit dhe teknologjinë.
“Ky është një
moment shumë fantastik që gjithë këta njerëz e shohin situatën, dhe pastaj mund
të fillojnë të flasin me qeverinë po ashtu, që të marrin vetë përgjegjësi dhe
të mendojnë gjithashtu për zgjidhje të tjera që vjen nga vetë shteti”, – tha
për Citizens Channel Kevin De Backer.
Ai pohon se po
punojnë për implementimin e një teknologjie që të pozicionohet në lumë dhe do
të shërbejë si ndalesë për “lundrimin” e mbetjeve deri në det.
Hedhja e
plastikës në det kalon përmes një cikli, ku planktonet hanë plastikë, peshqit
hanë planktone dhe njerëzit hanë peshqit, duke krijuar kështu një cikël prej
konsumi të plastikës, në dëm të botës së gjallë dhe njerëzve. Ky është rreziku
shëndetësor që vjen nga ndotja e ujit.
“Kafshët ushqehen
me plastikë dhe sëmuren dhe në këtë formë vdesin, nëse ne do të vazhdojmë në
këtë formë do të jetë shumë e dëmshme dhe për ne, edhe për planetin tonë, sepse
nëse oqeanet vdesin, edhe ne vdesim. Ne na nevojiten oqeanet sepse prodhojnë
oksigjen për ne”, – u shpreh Ines Goovaerts nga River CleanUp.
Artens Lazaj nga
Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, cilësoi se ky aksion ka si qëllim kryesor
ndërgjegjësimin qytetar.
“Ne duam t’i
nxisim të gjithë të rinjtë që janë aktiv në komunitetet e tyre që të dalin, të
ndërmarrin nisma, të pastrojnë sa më shumë të jetë e mundur dhe kryesorja të mos
ndotin edhe ta ruajnë mjedisin”, – tha Lazaj.
Mathilde
Guignard, një mësuese franceze e cila jeton në Shqipëri, shpjegoi se u njoh me
ndotjen e lumit Ishëm disa kohë më parë, ku pasi e pa në hartë, vendosi të bëjë
zhytje, plan i cili u anulua pas situatës në terren.
Ajo shprehet se
veçse ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjes institucionale, një zgjidhje është
reduktimi i përdorimit të plastikës.
“Unë jam mësuese,
përpiqem t’u tregoj studentëve të mi se është mirë të pastrosh lumenjtë por
gjëja e parë është të blesh më pak plastikë. Më pak qeska plastike, më pak
bidonë uji. Përpiqu të blesh sa më pak, përpiqu të ripërdorësh sa më shumë,
riciklo”, – rrëfeu Guignard për Citizens Channel.
Lumi Ishëm,
përshkon Shqipërinë qendrore dhe është rreth 79.2 kilometra i gjatë dhe
formohet nga bashkimi i ujërave të lumit të Lanës, të Tiranës, lumit të
Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e
Rodonit.
Ky lum është
konsideruar më i ndoturi në Evropë, i cili derdh çdo vit në detin Adriatik 700
ton mbetje plastikë, duke e kthyer atë në një shqetësim ndërkombëtar.
“Ne e dimë nga
studimet shkencore se afërsisht janë një milion njerëz që jetojnë përgjatë
lumit Ishëm dhe afërsisht ata krijojnë 1.7 kg mbetje në ditë. Një pjesë e tyre
mblidhet, por 50% e tyre nuk mblidhen por hidhen në natyrë, hidhen saktësisht
në lumë”, – shpjegoi Kevin De Backer.
“Problemi është
se ka kaq shumë ndotje në lumin Ishëm saqë niveli i uji po rritet dhe Ishmi po
del nga shtrati i tij, që bën që shtrati i lumit të shkërmoqet duke shkaktuar
erozion dhe nëse situata vazhdon kështu, njerëzit do të humbasin shtëpitë e
tyre”, – përfundoi Ines Goovaerts.
