OBSH: Duhani kërcënon njerëzit, ekonominë dhe mjedisin
GJENEVË (AA) -
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar raportin e parë mbi
efektet e dëmshme të pirjes së duhanit në mjedis në të cilin thekson se cigaret
ndotin mjedisin me më shumë se 7.000 kimikate dhe mijëra ton të gazeve toksike
dhe kancerogjene, raporton Anadolu Agency (AA).
Në prag të Ditës
botërore "Pa tym duhani", OBSH ka paralajmëruar se duhani në vit vret
7,2 milion njerëz, ekonomisë botërore i kushton 1,4 trilion dollarë, si dhe
shkakton ndotjen e mjedisit dhe shkatërron pyjet.
Në raport
theksohet se prodhimi i duhanit çon në shkatërrimin e pyjeve. Çdo 300 cigare të
prodhuara nënkupton humbjen e një peme. "Duhani na kërcënon të gjithëve.
Nxit varfërinë, redukton produktivitetin ekonomik, kontribuon në përzgjedhjen e
keqe të ushqimit dhe ndot ajrin që ne thithim", tha drejtoresha e
Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan.
Organizata
Botërore e Shëndetësisë thekson se duhani rrezikon zhvillimin e shteteve dhe i
bën thirrje qeverive të zbatojnë masa të ashpra për kontrollin e duhanit. Këto
përfshijnë ndalimin e reklamimit dhe marketingut të duhanit, promovimin e
paketimit të njëtrajtshëm të produkteve të duhanit, rritja e akcizës për
duhanin, si dhe krijimin e vende të mbyllura publike dhe të punës pa tym
duhani.
Shpenzimet
vjetore shëndetësore globale që lidhen me pirjen e duhanit vlerësohen në rreth
422 miliardë dollarë amerikanë, ose 56.34 dollarë amerikanë për person, e cila
është 5.7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore.
OBSH gjithashtu
thekson se duhani shkakton dhe humbje vjetore ekonomike në triliona dollarë për
shkak të dobësimit të produktivitetit të punëtorëve, sëmundjeve dhe vdekjeve të
parakohshme të shkaktuara nga pirja e duhanit.
Me qëllim të
paraqitjes së efekteve të dëmshme të pirjes së duhanit, OBSH në vitin 1987
miratoi një vendim, që në çdo 31 maj të vitit shënohet si Dita Botërore
"pa tym të duhanit".
