Metamorfoza e Lumës – nga lumë, në kaskadë hidrocentralesh
Tri vite më parë,
Romana Vllahutin, ish-kryetarja e delegacionit të BE-së në Tiranë, nga fshati
Shishtavec i Kukësit bëri një thirrje kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Ajo
iu kërkoi banorëve të zonës të mos shpërngulen nga ky vend, ku është investuar me
fondet e BE-së për rikonstruksionin e rrugës që lidh zonën me Kosovën dhe
Maqedoninë e Veriut, ku potenciali turistik dhe ekonomik është tejet i lartë
dhe bukuritë natyrore janë të shumta.
Sot, realiteti
është krejt ndryshe. Deri tani në Grykën e Vanave, në harkun kohor të katër
viteve (2012-2016), në shtratin e lumit Luma janë ndërtuar dhjetë
hidrocentrale, duke e kthyer shtratin e lumit në një shkretëtirë të mirëfilltë,
ndërkohë që janë projektuar pesë hidrocentrale të tjera.
Hidrocentralet janë të tipit “BOT”, që funksionojnë si një i vetëm, japin dhe
marrin nga njëri-tjetri, duke kryer shfrytëzimin maksimal të ujit dhe duke e
kthyer shtratin e lumit përgjatë periudhës së shfrytëzimit në një shkretëtirë,
të thatë e pa jetë.
Ndërtimi i
hidrocentraleve “Bele 1”, “Topojan 1”, “Orgjost i Ri”, “Bele 2” dhe “Topojan 2”
është miratuar nga Ministria e Energjetikës, në nëntor të vitit 2008. Këto
HEC-e janë ndërtuar nga kompanitë koncesionare “Euron Energy”, “Energal
sh.p.k.” dhe “Alb-Energy sh.p.k.”.
Ndërkohë që
hidrocentralet “Borje”, “Oreshkë”, “Cernaleva 1” dhe “Cernaleva 2” janë
ndërtuar nga shoqëria “HidroAlbania Energji”. Hidrocentrali i fundit i Pobregut
është ndërtuar nga kompania koncesionare “Energy Plus sh.p.k.”.
Banorët e zonave,
ku kalojnë degët e lumit Luma, kanë vite që e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve.
Në fshatrat Topojan dhe Borje banorët janë të shqetësuar për dëmtimin e lumit,
por duken të dorëzuar dhe nuk kanë dëshirë të prononcohen më tej për ndërtimin
e HEC-eve.
Gjatë gjithë
rrugëtimit drejt fshatit Borje, pjesë e Shishtavecit, rruga që kalon mbi hidrocentralin
Borje, nuk është mirëmbajtur. Ndërtimi i hidrocentralit këtu nuk ka ndikuar në
rregullimin e rrugës nga Kukësi drejt Borjes. Banorët e këtij fshati shohin dhe
ndjejnë kontrastin e madh mes investimit të konsiderueshëm për hidrocentralin
dhe gjendjes së infrastrukturës.
Krenar Bilali,
banor i Borjes, thotë se ndërtimi i hidrocentraleve nuk e ka përmirësuar
jetesën e banorëve të zonës. Problemet vazhdojnë të jenë po ato që ishin edhe
para ndërtimit të tyre.
Agjencia
Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), ka
qenë kundër ndërtimit të hidrocentralit “Oreshka”. Në përgjigjen e kërkesës për
informim, Agjencia e konsideron këtë zonë “me vlera të larta për menaxhimin e
habitateve dhe llojeve; dhe zhvillimi i një aktiviteti të tillë do kishte një
ndikim mjaft negativ në mjedis. Në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), thuhet
se, referuar ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” për këtë zonë zbatohet shkalla e
tretë e mbrojtjes dhe ndalohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave
ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura dhe si e tillë nuk
lejohen investime të kësaj natyre.
Olsi Nika,
drejtor i EcoAlbania-s, thekson se hidrocentralet e ndërtuara në lumin Luma
janë problematike, sepse kompanitë koncesionare nuk e zbatojnë kontratën për të
lëshuar një sasi të ujit në lumë për atë që quhet prurje ekologjike, si dhe për
shkaktimin e mungesës së korridoreve biologjike.
Lumi Luma ka një
shumëllojshmëri prej 26 peshqish, duke filluar nga trofta e përrenjve të
Ballkanit Perëndimor, peshqit e familjes së krapit dhe deri te mustaku. Futja e
gjithë rrjedhës së ujit në tuba ka bërë që sot kjo faunë të mos ekzistojë më.
Biologu Arben
Palushi ka bërë herë pas here ekspedita në lumë dhe e ka vërtetuar praninë e
peshqve, peshq që tani nuk janë më. Me gjithë përpjekjet për ndërtimin e
gropave të mbijetesës, Palushi së bashku me ekspertë të tjerë nuk arritën t`i
shpëtojnë gjallesat endemike të këtij lumi.
Kompanitë
koncesionare, përveç futjes së ujit në tuba, shkelin pikat e kontratës, duke
hedhur klorin në lumë për të pastruar tubat që zënë alga njëqelizore.
Inspektorati
Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është autoriteti përgjegjës për inspektimet
në këto hidrocentrale. Vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të ACQJ për
informacion mbi gjendjen e këtyre investimeve dhe impaktin e tyre në
ekosistemin e lumit Luma drejtuar IKMT-së dhe Drejtorisë Rajonale të IKMT,
Kukës, kjo e fundit nisi inspektimet e nevojshme kundrejt këtyre
koncesionarëve, duke iu përgjigjur kërkesës për informacion në mënyrë të
pjesshme.
Sipas këtij
institucioni, janë kryer inspektimet e nevojshme përgjatë lumit Luma (Gryka e
Vanave), ku rezultoi se po ushtronin aktivitetin kompanitë koncesionare që kanë
ndërtuar HEC-et në shtratin e lumit, nga të cilat dy prej tyre nuk i plotësojnë
kushtet e Lejes Mjedisore, por pa përcaktuar se në çfarë masë kompanitë e tjera
i plotësonin kushtet e lejes.
Uji që dikur
rridhte në lumin Luma, një ndër më të mëdhenjtë e zonës, tani kalon nëpër tuba
për të prodhuar energji elektrike, mungesën e së cilës banorët e zonës ende e
vuajnë shpesh.
Jeta e banorëve,
që jetojnë përgjatë këtij lumi, nuk ka ndryshuar. E ardhmja e tyre nuk duket më
e mirë, ndërsa jeta e gjallesave të këtij ekosistemi i përket së shkuarës!
Për të lexuar artikullin e plotë, klikoni Albanian Center for Quality Journalism.
