Kukës: Shfrytëzimi i hekur-nikelit shkreton tokat, pyjet dhe zhduk tulipanin shqiptar
Banorët tregojnë
se firmat sipërmarrëse kanë bërë dhe po bëjnë shfrytëzimin pa kriter deri në
barbari të mineralit të hekur nikelit, pa zbatuar asnjë kriter për të cilin
kanë marrë leje, duke shkatërruar dhjetëra hektarë me pyje, ndotur mjedisin dhe
për pasojë duke rrezikuar jetën e njerëzve.
Aktualisht në
fshatin Mamëz firma e cila po shfrytëzon mineralin e hekur-nikelit është
“Victoria Invest”, në një sipërfaqe prej 2.8 kilometër katrorë, rrëze malit të
Sukës. Banorët e këtij fshati pretendojnë se kjo firmë punon me leje mjedisore
të falsifikuar. Sipas tyre firmat e banorëve janë marrë në mënyrë klandestine
pa ndonjë dëgjesë publike, madje janë përdorur dëgjesa publike të zhvilluara në
fshatra të tjerë.
Pavarësisht
kësaj, firma ka zhvilluar aktivitetin pa u shqetësuar nga askush, ndërsa si
pasojë e veprimtarisë së nxjerrjes së hekur-nikelit banorët shprehen me
shqetësim për shëndetin e tyre.
Me gjithë ankesat
e vazhdueshme të banorëve kundrejt institucioneve shtetërore, nuk ka pasur
asnjë reagim, duke i bërë ata të ndjehen të pafuqishëm për të mbrojtur
territorin e tyre.
Kryeplaku i
fshatit Mamëz Sali Leka thotw se AKBN ka dërguar në terren specialistin Bardhyl
Cama, i cili pasi ka kryer inspektimin në bazë të ankesave të banorëve të
paraqitura u ka dhënë të drejtë për sa i përket grumbullimit të stokut të
mineralit të hekur nikelit në mes të
fshatit, ku depozitat e mineralit të
hekur nikelit janë duke rrezikuar shëndetin e njerëzve dhe gjësë së gjallë. E
me gjithë inspektimit dhe ankesave të banorëve, stoku i mineralit vazhdon të
jetë në qendër të fshatit. I pyetur nga Citizens Channel, prefekti i Qarkut të
Kukësit, Zenel Kuçana ka rezerva për sa i përket lejeve të lëshuara nga
AKBN-ja.
Krahas pasojave
në shëndetin e banorëve si dhe pamundësinë që ju krijon për të shfrytëzuar
kullotat për bagëtinë, shfrytëzimi pa kriter i mineraleve në fshatin Mamëz të
Kukësit sjell rrezik edhe për tulipanin shqiptar.
Tulipa
albanica është një lloj
tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e
Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80
hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti
minerar në zonë. Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa
scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe
me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.
Drejtoria e AKZM(
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura) Kukës, ka pohuar faktin se në zonën e
Mamëzit ku ushtrojnë aktivitet disa firma minerare gjendet tulipani me ngjyrë
të kuqe. Përveç tulipanit, të rrezikuar ka edhe 24 lloje të bimëve
bashkëshoqëruese që janë në listën e kuqe të Ministrisë së Mjedisit si të
rrezikuara. Mes tyre edhe tulipani me ngjyrë të kuqe që rritet në fshatin Mamëz
gjendet në listën e kuqe të Ministrisë së Mjedisit.
Përpos
veprimtarive shkatërruese në mjedis, në aspektin ndërkombëtar Shqipëria është
ndër vendet e para që ka nënshkruar dhe më pas ka ratifikuar në vitin 2000
Konventën e Aarhusit.
Qëllim i
konventës është që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të
brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për
shëndetin dhe mirëqenien e tij. Megjithëse në letra plotësohen, rrëfimet e
banorëve tregojnë se as nuk janë informuar e as nuk janë pyetur kur vjen puna
për ndikimet negative që shkaktojnë në mjedis koncesionet e mineraleve dhe ato
të HEC-eve.
Banoret e Mamëzit
prej një dekade kërkojnë transparencën e dhënies së këtyre lejeve minerare dhe
anulimin e tyre, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar, ndërsa gjithmonë ndaj
tyre është ushtruar dhunë e terror psikologjik e fizik nga ana e policisë.
Ngjarjet zënë
fill 11 vite më parë, kur Genc Ruli, në ditën e fundit të mandatit tij si
Ministër i Ekonomisë, në fillim të shtatorit
të vitit 2009, kishte firmosur një leje koncesionare prej dhjetëra
hektarësh (2.5 kilometër katrorë) për shfrytëzim të mineralit të hekur-nikelit
në fshatin Mamëz.
Ndërkohë që
fillimi i punës nga ana e koncesionarit në fundin e tetorit të vitit 2011 ka
hasur në reagimin e banorëve të Mamëzit, pasi shfrytëzimi i kësaj miniere bëhej
në pronat e tyre pa asnjë lloj shpërblimi si dhe dëmtonte rëndë kullotat, pyjet
dhe rrugën e fshatit, por pa ditur se po dëmtonte edhe lulen e famshme të
emërtuar tashmë “Tulipani albanica” (Tulipani Shqiptar).
Leja e
shfrytëzimit i është dhënë subjektit “Nickelmine” me datë 01 shtator të vitit
2009 nga Z. Ruli kur ishte ministër në detyrë i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e një javë më pas
ai ka marrë votëbesimin në parlament si ministër i Bujqësisë.
Leja e
shfrytëzimit zotëronte një sipërfaqe prej 2.5 kilometrash katrorë, ku banorët e
fshatit Mamëz kanë kullotat dhe pyllin. Kjo firmë ka shfrytëzuar për rreth tre
vite këtë zonë mineral mbajtëse. Banoret e Mamëzit e akuzojnë firmën se
megjithëse e kishte marrë lejen me dokumente të falsifikuara, ajo nuk kishte
zbatuar shumicën e kritereve të përcaktuar në leje, ku nga punimet e firmës
janë dëmtuar veprat ujitëse, shkatërruar mjedisi, dëmtuar shtëpitë nga shpërthimet
dhe të mbjellat nga pluhuri i krijuar, ndërkohë që si pasojë e daljes së
helmeve në sipërfaqe u kanë ngordhur bagëtia.
Tashmë zona e
shfrytëzuar i ngjan një varreze masive, ku firma pas shfrytëzimit është larguar
dhe përgjegjësit nuk kanë bërë rehabilitimin e zonës duke shkaktuar probleme të
mëdha për banorët. Ndërkaq banorët e këtij fshati për shfrytëzimet barbare të
burimeve minerare në fshatin e tyre kanë bërë publike disa vite më parë një
letër që i kanë dërguar trojkës së ambasadoreve në Tiranë si ambasadorit të
SHBA-së, Shefit të Delegacionit të KE-së në Tiranë dhe shefit të Prezencës së
OSBE-së. Në letër pasi përshkruhet dhuna policore ndaj tyre ato kanë denoncuar
lëshimin e lejeve mjedisore pa kriter nga ministria dhe AKBN-ja.
Megjithatë, si
ish ministri Genc Ruli edhe pasardhësit e tij ndër vite kanë vazhduar të japin
leje koncesionare për shfrytëzim minerali në ekonominë pyjore e kullosore të
zonës kadastrale Mamëz-Kalimash, ku firmat koncesionare kanë dëmtuar rëndë
mjedisin e bashkë me të edhe lulen e rrallë të tulipanit shqiptar.
Këto koncesione
minerare, kanë shkatërruar dhjetëra hektarë me pyje e kullota duke dëmtuar
rëndë ekonomitë familjare të banorëve të këtyre zonave të varfëra dhe duke
krijuar HOT-SPOT-e të reja. Deri më tani janë shënuar dëme jo vetëm në sektorin
e blegtorisë, por edhe në shëndetin e njerëzve.
Për t’u njohur me
artikullin e plotë, klikoni Citizens Channel.
