Gjirokastër, turizmi i pelegrinazhit tërheq vizitorët vendas dhe të huaj
Objektet fetare
dhe religjioze falë vlerave arkitektonike, historike dhe të trashëgimisë
kulturore po pasurojnë hartën e guidave turistike duke e bërë më interesant
udhëtimin për vizitorët vendas dhe të huaj.
Sipas
specialistëve turizmi fetar po rritet me shpejtësi dhe konsiderohet të jetë një
përparësi kyçe në industrinë globale të turizmit. "Në këtë drejtim zona e
Gjirokastrës është e pasur me burime unike kulturore, me rëndësi fetare dhe religjioze,
të cilat mund të përdoren për zhvillimin e aktivitetit ekonomik turistik",
shprehen specialistët e turizmit.
Objektet religjioze, një pjesë e të cilave të restauruara edhe me financimet e Ministrisë së Kulturës gjatë kësaj vere janë ndalesa tërheqëse për tustitët, duke i bërë më impresionuese guidat turistike në zonën e Gjirokastrës. Ndërkohë Bashkia Gjirokastër nëpërmjet një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit INTERREG IPA, synon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit ndërkufitar të pelegrinazheve.
Sipas koordinatorëve të këtij projekti, pjesë e tij është
kryerja e një studimi mbi zhvillimin e turizmit të pelegrinazheve në zonën
ndërkufitare më Greqinë, promovimi i 15 monumenteve të përzgjedhura si dhe
zhvillimi dhe zbatimi i një produkti të specializuar turistik, i përbërë nga
rrugë alternative të turizmit të pelegrinazhit.
Përgjatë këtij
projekti do të mundësohet edhe funksionimi i një portal-web për rrugët e turizmit
të pelegrinazhit që ofron informacion në kohë reale, duke mundësuar hartimin e
rrugëve alternative të vizitave, sipas preferencave të vizitorëve dhe
promovimin e monumenteve kulturore të përzgjedhura, si dhe ushqimin, produktet
dhe shërbimet lokale të ofruara në zonë.
Zhvillimi dhe
funksionimi i Qendrës së Informacionit, zhvillimi i strategjisë dhe etiketës së
markës "Rrugët e Turizmit të Pelegrinazhit", duke përfshirë ushqime,
produkte dhe shërbime lokale dhe komunitetin e biznesit të përfshirë, pjesë
përbërëse të Rrjetit të Ndërmarrjeve të Rrugëve të Turizmit të Pelegrinazhit
janë disa prej elementëve interesantë të këtij projekti.
Gjithashtu pjesë
e tij janë aktivitetet promovuese për këtë lloj turizmi, në të cilat do të
përfshihen edhe komunitetet lokale të zonave përkatëse. Sipas specialistëve të
turizmit, projekti i zbatuar në territorin e Bashkisë Gjirokastër ,do të
mundësojë rritjen e konsiderueshme të vizitave dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të
turistëve, rritjen e të ardhurave për banorët e zonave rurale, si dhe çeljen e
vendeve të reja të punës dhe investimet në sektorin e turizmit.
