Fier: “Vija e Ngjalës”- kanali mes banesave që sjell sëmundje dhe mjerim
Studime të
ndryshme kanë vënë në pah se ndotja e lumit Gjanica lidhet drejtpërdrejt me
peshën e ulët të lindjes së bebeve në zonë.
Cilësia e ajrit
dhe ndotja industriale lidhet edhe me shqetësime të tjera shëndetësore në këtë
zonë, si: me probleme të frymëmarrjes, çrregullime të mëlçisë dhe ndikim në
gjak, ndërsa ndikojnë drejtpërdrejt edhe në lindshmëri dhe në shëndetin e bebeve
të porsalindura në Shqipëri. Kjo është ajo çfarë theksohet në raportin e
monitorimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ku sillen edhe shembuj konkretë
të studimit të këtij ndikimi.
14 përqind e
familjeve të intervistuara në këtë zonë kanë regjistruar peshë të ulët të
lindjes të fëmijëve. Duke pasur parasysh shqetësimet e bëra publike në media,
KSHH ka ndjekur dhe verifikuar për më shumë se tre vjet ankesat e banorëve,
banesat e të cilëve gjenden përgjatë shtratit të lumit Gjanica.
Përballë mungesës
së informacionit, dështimi për të marrë masa konkrete për të identifikuar
operatorët ndotës dhe rehabilitimin e mjedisit në përputhje me parimin “ndotësi
paguan”, vërehet se KSHH, si përfaqësues i tre banorëve të qytetit të Fierit
dhe interesit publik, ka ndjekur këtë çështje që nga janari 2019 përmes mjeteve
ligjore.
Sipas studimeve,
ndotja e ajrit rrit ndjeshëm rrezikun e peshës së ulët të lindjes tek foshnjat.
Të dhënat Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, për 9 muaj të vitit 2017,
flisnin gjithashtu për një numër të konsiderueshëm të grave dhe vajzave me
çrregullime të gjakut (nga 14 pacientë, 10 prej tyre janë gra).
Organizata TIRC
(Together for Roma Integration) e cila operon në bashkinë e Fierit ngre
problemin e ndotjes së ujit së lumit Gjanica nga hidrokarburet dhe mbetjet
inerte, të cilat derdhen në gjithë gjatësinë e rrjedhës së lumit, duke
shkaktuar një katastrofë mjedisore.
Eduart Koçi,
drejtues i TIRC bën me dije se sipas një anketimi të bërë me banorët e
fshatrave të vendosur në dy anët e lumit, Baltëz dhe Drizë, banorët shfaqin
probleme në sëmundje që kanë të bëjnë me mushkëritë, sëmundje kancerogjene,
irritimi në sy, hundë, grykë, si dhe probleme me lëkurën Ai shton se përveç
ndikimit në shëndetin e banorëve që jetojnë në këtë zonë edhe flora dhe fauna e
lumit Gjanica është e shkatërruar dhe në rrezik zhdukje përfundimtare. Koçi
tregon se e kanë adresuar problemin në bashkinë e Fierit, duke kërkuar marrjen
e masave dhe reduktimin e ndotjes.
Për të lexuar
artikullin e plotë nga Blerina Goce, klikoni Citizens Channel.
