UNESCO kërkon ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës në zonën historike
UNESCO i ka
kërkuar urgjentisht qeverisë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e
Bypass-it të ri në Gjirokastër derisa ata të mbledhin informacione nga burime
si pala qeveritare dhe grupe të tjera interesi, për të parë dëmet që ky projekt
tashmë ka shkaktuar ose që mund të shkaktojë më tej.
Ky vendim është
zbardhur në projekt-rezolutën e botuar para sesionit të 44-të të takimit të
Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që po zhvillohet midis datave 16 dhe 31
korrik në Kinë.
Projekti i shumë
diskutuar i Bypass-it “Ura e Nanxës – Urat e Mëdha Dunavat” në qendrën
historike tashmë vijon sipas planit, ku po punohet për të ndërtuar rrugën që do
të kalojë në luginën e përroit të Nanxës e që do të ketë gjatësi rreth 980m dhe
gjerësi rruge 6m për lëvizjen automobilistike, si dhe 3m trotuar në të dy anët
e rrugës.
“Informimi nga
palë të treta të dërguara në Qendrën Botërore të Trashëgimisë përfshijnë
dokumentime që tregojnë një situatë shumë shqetësuese të këtij projekti, i cili
duket se është tashmë në ndërtim e sipër”– shkruan UNESCO-ja.
Qeveria shqiptare
ka njoftuar Qendrën Botërore të Trashëgimisë të UNESCO-s për planet e reja të
Bypass-it vetëm në janar të vitit 2021, duke kërkuar rekomandime nga ata.
UNESCO kërkoi prej qeverisë shqiptare informacione shtesë rreth projektit në
datë 16 mars 2021 por nuk morën asnjë përgjigje.
Gjirokastra u bë
pjesë e Listës se Trashëgimisë Botërore në vitin 2005 ndërkohë që projekti për
Bypass-in është përmendur për herë të parë më 13 shtator 2016, i miratuar
fillimisht nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, por në sajë të kundërshtimit të
specialistëve dhe publikut, qeveria u detyrua të tërhiqej duke deklaruar
rishikim e tij.
Më tre tetor 2020
u shpall projekti i ri i miratuar i Bypass-it nga Bashkia Gjirokastër, ku
përveç rrugës parashikohet dhe ndërtimi i parkingut nëntokësor nën sheshin
“Çerçiz Topulli”. Megjithatë, punimet u pezulluan pak kohë më parë për shkak të
zbulimit të disa gjurmëve mijëvjeçare./ Citizens Channel
