Urat e paligjshme me inerte në plazhet e Adriatikut rrezik për mjedisin
Mbi 15 ura me
masive gurësh janë ndërtuar vitet e fundit në bregdetin mes Malit të Robit dhe
fshatit Qerret, e cila njihet prej kohësh si zona e fshatrave turistike pranë
Kavajës.
Megjithëse, ende
askush nuk di të thotë saktësisht se cili është funksioni i tyre, ndërtimi i
urave me gurë brenda në det vijon pa ndërprerje dhe fenomeni ka përfshirë edhe
plazhe të tjerë në jug dhe në veri të qytetit të Durrësit.
Tomorr Spahiu, inxhinier
specialist për ndërtimin e porteve, tha për BIRN, se këto pontile janë ngritur
pa asnjë studim paraprak dhe sipas ndërtuesve, ato synojnë të shmangin rrezikun
e erozionit detar.
Ing. Spahiu shton
se urat prej gurësh të mëdhenj që nxirren nga guroret në qarkun e Durrësit, dhe
që kanë një gjatësi deri në 50-60 metra janë ndërtuar vertikalisht me
bregdetin, por mundësitë për ta ruajtur në mënyrë të pandryshuar raportin e
detit me bregun janë shumë të vogla.
Sipas
specialistit me përvojë, problematikat e erozionit në bregdetin tonë janë
krijuar nga gërryerja pa kriter e lumenjve për nxjerrjen e inerteve me qëllim
ndërtimi. Kjo situatë e ka lehtësuar erozionin bregdetar në disa zona, duke i
alarmuar dhe detyruar investitorët e fshatrave turistikë të kërkojnë zgjidhje
afatgjata. Në mjaft raste godinat e pushuesve janë ndërtuar jo larg detit dhe
pontilet me gurë janë gjetur si një mburojë e bregut, i cili nuk mbathet më nga
aluvionet e lumenjve si më parë.
Arjan Mema ka
gjetur pontile gurësh edhe në plazhet e Shën Pjetrit, 35 kilometra në veri të
qytetit. Ai shton se inerte dhe betone pa asnjë funksion gjen edhe në bregdetin
e Currilave deri në plazhet e Kallmit.
E njëjta gjendje
edhe në plazhin më të hershëm të vendit. Urat me qëllime turistike të viteve
‘80, që më parë shfrytëzoheshin si bare e restorante modeste, tashmë e kanë
rritur disa herë sipërfaqen duke u mbathur me gurë dhe betone gjithfarësh.
Sipas prof. Adem
Hysenit urat e ngritura në bregdet i shkaktojnë një dëm të madh mjedisor
plazheve ku janë ngritur, pasi dallgët i thërrmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe
të gjitha mbeturinat e depozituara pranë tyre. Ndërkohë ai thekson se bregdeti
Adriatik në vendin tonë është i tipit akumulativ, në të cilin toka fiton ndaj
detit. “Por jo gjithmonë ndodh kështu; erozioni detar është edhe këtu i
pranishëm, veçanërisht pranë zonave kodrinore dhe në grykëderdhjet e lumenjve,”
tha ai.
Plazhet e
Rrushkullit, Jubës dhe Hamallajt, pranë grykëderdhjes së Erzenit, apo edhe ato
të Vilë Bashtovës më në jug rrezikojnë njëlloj si ato të zonës së fshatrave
turistikë në Malin e Robit, pranë Kavajës. Kjo është arsyeja, që sipas inxhinierit
numri i urave prej guri vazhdon të rritet, ndërsa zgjidhja duket gjithnjë e më
larg./ Reporter.al
