Thellohet skandali me shkarkimet e Albchrome
Pas kronikës të
transmetuar pak ditë më parë në MCN, ku pamjet tregojnë zonën e fshatit
Balldren të mbuluar nga tymi, Dybeli thotë se është në dijeni të nivelit të
lartë të ndotjes që emetohet nga fabrikat e Albkrome, pjesë e Balfin grup në
zotërim të biznesmenit Samir Mane.
Ferrokromi,
fabrika e kompanisë Albkrom që bën përpunimin e kromit, sipas Dybelit është më
problematike sa i përket çështjes së ndotjes në zonën e Balldrenti. Sipas tij,
kjo kompani nuk ka të instaluar sistemin e pluhur kapjes, për të cilën janë në
dijeni edhe institucionet përkatëse.
Zëvendësdrejtori
i inspektoratit shpjegon se nga ky institucion janë kryer inspektime që kanë
evidentuar nivelin e lartë të ndotjes dhe materialet për problematikat e
gjetura janë referuar në Ministrinë e Mjedisit.
Por sipas Dybelit,
Inspektorati i Mjedisit në Elbasan nuk ka aparaturat e nevojshme për të bërë
matjet e ndotjes së ajrit dhe emetimeve nga fabrikat, ndonëse mbulon një prej
zonave me aktivitet të lartë industrial.
Në vëzhgimin që
bëri pak ditë më parë, MCN solli pamje ekskluzive të ndotjes masive gjatë natës
në fabrikat e përpunimit të kromit, ku janë të punësuar edhe një pjesë e
banorëve të zonës, të cilët janë të rezervuar për të folur nga frika e heqjes
nga puna.
Gjithashtu denoncimi
i aktivistit mjedisor, Ahmet Mehmeti i Klubit Ekologjik Elbasan, i bërë në MCN
TV, referon për një ndotje të ajrit nga pluhurat rreth 7 herë më të lartë
se norma. Shkak i kësaj gjendjeje është mungesa e filtrave dhe mosrespektimi
nga kompania i kushteve të lejeve mjedisore për ndotjen e ajrit.
Ndërkohë Raporti
i Gjendjes së Mjedisit 2020 e paraqet ndotjen në Elbasan në nivele poshtë
normës së lejuar, ku në vetëm 23 ditë ndotja është më e madhe se norma. Por
matjet e referuara në këtë raport i takojnë qendrës së qytetit ( stacioni matës
ndodhet përpara godinës së qarkut Elbasan). Indicie të tilla të veprave të
krimit mjedisor duhet të vënë në veprim inspektoratin e mjedisit për të bërë
inspektime në terren. Sipas zotit Mehmeti dhe gazetarëve të MCN TV kjo gjë nuk
ka ndodhur, edhe pas disa ditësh të raportimit të rastit.
Ndotja e ajrit
përbën një krim mjedisor parashikuar nga kodi penal, neni 201, ndryshuar me
ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019.
