Në Dragobi, vendimin e Gjykatës së Lartë për HEC-et e merr lumi
Makineritë e
rënda dhe punëtorët e hekurit të kompanisë “Gener 2” po i japin dorën e fundit
punimeve në dy hidrocentralet e kundërshtuara ashpër mbi lumin Valbonë, ndonëse
Gjykata e Lartë vendosi një javë më parë pezullimin e tyre.
Në qendrën e
kantierit në Dragobi, punëtorët vazhdonin të patrazuar punën të martën më 27
korrik, ndërsa automjetet e tonazhit të rëndë ngrejnë re të dendura pluhuri
teksa transportojnë materiale të ndryshme drejt digës.
Banorë të
Dragobisë i thanë BIRN se punimet vazhdojnë edhe në tunelin e Çeremit dhe se
ata kanë pak shpresë se vendimi do ta ndryshojë situatën në terren.
Pas një beteje
6-vjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, banorët e zonës korrën një
fitore të vonuar më 21 korrik, kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia
dhe Çeremi.
Vendimi u mor 5
vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh dhe shoqata “Toka” –kohë kjo
e mjaftueshme për ndërtimin e HEC-eve dhe nisjen e prodhimit të energjisë nga
njëri prej tyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë kundërshtohet nga përfaqësuesit e
kompanisë koncesionare, të cilët i thanë BIRN se do të vazhdojnë punën.
Parku Kombëtar i
Luginës së Valbonës është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të
Shqipërisë dhe gëzon mbrojtje të veçantë ligjore. Por pavarësisht statusit të
mbrojtjes, qeveria shqiptare ka firmosur ndërtimin me koncesion të dy HEC-eve
në Valbonë, duke nxitur një betejë 6-vjeçare të banorëve të zonës dhe një seri
padish gjyqësore.
Vendimi i
Gjykatës së Lartë nuk ishte i vetmi që pezulloi punimet si masë paraprake, deri
në shqyrtimin e themelit të çështjes. Në qershor 2018, Gjykata Administrative e
Apelit pranoi kërkesën e protestuesve për pezullim të punimeve. Por në një
vendim të paprecedentë, pezullimi u rrëzua nga Gjykata e Faktit të Tropojës.
Ibrahim Demiri,
banor i Dragobisë dhe mësues në pension i tha BIRN se punimet intensive për
ndërtimin e HEC-eve i kishin dhënë tashmë efektet negative mbi mjedisin.
Aktivisti Metalia
është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës së mbrojtjes së Valbonës,
ndërsa pranon se banorët janë tashmë më të përçarë se 6 vjet më parë. Metalia i
tha gjithashtu BIRN se personalisht kishte pasur përndjekje dhe oferta për të
hequr dorë nga protesta.
Alfred Selimaj
është ndër të paktët operatorë turistikë në Valbonë që u është bashkuar
aktivistëve dhe banorëve të Dragobisë e Luginës së Valbonës në mbrojtje të
lumit. Ndonëse është dyshues për efektin e vendimit të Gjykatës së Lartë, ai
shpreson që së paku kjo do të ndërgjegjësojë mbrojtjen e mjedisit në zona të
tjera të vendit.
Njësoj si
Metalia, edhe Selimaj thotë se është bërë objekt i presioneve, por nuk është
tërhequr.
Bajram Bashukaj,
punonjës i kompanisë “Gener 2” i relativizon ankesat e banorëve, ndërsa thotë
se derdhja e ujërave të zeza e dëmton lumin shumë më tepër sesa HEC-et.
Ai shtoi
gjithashtu se kompania ka punësuar dhjetra banorë të zonës së Tropojës gjatë
fazës së ndërtimeve dhe se anulimi i koncesionit do të ishte një faturë e rëndë
për shqiptarët.
Uji i futur në
tuba nga Çeremi dhe që furnizon me ujë HEC-in “Dragobia 1”. Foto: Bashkim
Shala.
Puna në kantierin
e kompanisë Gener 2 vazhdon edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Foto:
Bashkim Shala./ Reporter.al
