Bashkia Has Pararojë në qeverisjen mbi parimet e ekonomisë së gjelbër
Ky është një
moment i rëndësishëm për Bashkinë e Hasit, pasi asnjë Bashki tjetër në vend nuk
ka një dokument të ngjashëm duke e bërë atë bashkinë e parë në vend që miraton
një plan veprimi për shërbimet e ekosistemit dhe për investimet inteligjente.
Për Bashkinë e Hasit ky plan vjen edhe më shumë në nevoje duke qenë se është e
pasur me burime natyrore të cilat përfaqësojnë një kapital ekonomik deri tani
të pa-vlerësuar dhe as të konsideruar për tu integruar në hartimin e politikave
dhe fuqizimin e vetë qeverisjes vendore. Ky plan tashmë sjell një përqasje të
re drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë dhe vlerësimit të potencialeve të
bashkisë.
Procesi i
hartimit të këtij dokumenti ka qenë sa teknik, aq edhe pjesëmarrës dhe analitik
i të dhënave dhe potencialeve aktuale dhe të ardhme të Bashkisë Has. Për
hartimin e plani është punuar ngushtë në mënyrë të vazhdueshme me Bashkinë e
Hasit. Gjithashtu plani ka kaluar dy takime konsultuese me drejtoritë kryesore
të Bashkisë dhe me aktorë të tjerë të interesuar, ka qenë i hapur në faqen e
Bashkisë Has për komente nga publiku dhe është finalizuar me miratimin e tij
nga Këshilli Bashkiak.
Miratimi i këtij
plani në Këshillin Bashkiak e rendit Bashkinë Has ndër pushtetet vendore
pararojë në menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të kapitalit natyror në favor
të zhvillimit vendor dhe të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Plani ka
vlerë të shtuar pasi konsideron elementët ndërkufitarë për një zhvillimi më të
mirë të rajonit Shqipëri – Kosovë. Ashtu si Bashka Has dhe Komuna Klinë në
Kosovë kanë ndjekur të dyja të njëjtin proces për hartimin e këtyre planeve
respektive të veprimit me të njëjtën përqasje ndërkufitare për një angazhim të
përbashkët të dy bashkive për fuqizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë dhe
ruajtjen e burimeve rajonale natyrore.
Dokumenti është
konceptuar në mënyrë të tillë që njëkohësisht të përfaqësojë një plan veprimi
dhe një dokument strategjik, i cili mund të inkuadrohet në të gjitha planet dhe
strategjitë vendore të veprimit, si ato ekzistuese edhe ato të ardhme. Plani me
83 faqe është ideuar për mos u përdorur si një dokument i izoluar, por ti
bashkëngjitet të gjitha planeve të tjerë të Bashkisë Has dhe parashikohet të
zbatohet dhe përmbushet në 5 vitet e ardhshme me mundësi replikimi nga vetë
stafi i Bashkisë të cilët tashmë i kanë kapacitetet e ngritura për përmirësimin
dhe replikimin e tij.
Përmes hartimit
të këtij plani dhe aprovimit të tij në Këshillin Bashkiak, Bashkia Has merr
përsipër të integrojë në mënyrën e saj të qeverisjes parimet e ekonomisë së
gjelbër çka përfaqëson vizionin e ri të zhvillimit ekonomik, por edhe të
mirëqeverisjes.
Ky plan veprimi i
hartuar për herë të parë në Shqipëri është zhvilluar në kuadër të projektit
ndërkufitar Shqipëri – Kosovë me titull “Kapërcim i gjelbër– drejt ekonomisë së
gjelbër vendore me investime inteligjente” i cili mbështetet financiarisht nga
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes programit ndërkufitar
Shqipëri-Kosovë nën Instrumentin e Asistencës së Para- anëtarësimit (IPA II).
Projekti Zbatohet në Shqipëri nga Qendra EDEN dhe Bashkia Has dhe në Kosovë nga
Balkan Green Foundation ( drejtues i projektit) dhe Komuna Klinë.
Për t’u njohur me
Vendimin e Këshillit Bashkiak, Bashkia Has, për Miratimin e Planit (30.06.2021)
si dhe Konfirmimin nga Prefekti, Qarku Kukës (16.07.2021), klikoni Qendra EDEN.
