Hidrocentralet në Valbonë vijojnë punën pavarësisht pezullimit nga Gjykata e Lartë
Shoqëria
koncensionare “Dragobia Energy” plotësisht në pronësi të “Gener 2 Sh.P.K” vijon
aktivitetin e prodhimit të energjisë përmes HEC-eve “Çerem” dhe “Dragobia” në
luginën e Valbonës, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë për pezullim të
kontratës së koncesionit dhe të aktivitetit deri në një vendim të formës së
prerë.
Këtë e
konfirmojnë vetë banorë të zonës, të cilët nuk shprehen të habitur nga
“kokëfortësia” e kompanisë për të mos iu bindur urdhrave të Gjykatës.
Kontaktuar nga
Citizens Channel, përfaqësues të kompanisë “Gener 2” refuzuan të japin një
koment rreth situatës së krijuar.
Nga burime të
tjera për Citizens Channel mësohet se punimet vijojnë, pasi firma koncensionare
pretendon se nuk ka marrë një shkresë zyrtare për ndërprerje të punimeve.
Më herët, Bajram
Bashukaj, i cili u prezantua si financier i kompanisë “Gener 2”, tha për BIRN
se puna do të vijojë dhe vendimi i Gjykatës së Lartë do ankimohet.
Në vitin 2007 u
miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria
“Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.
Fillimisht ishte
menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke
shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të
Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania
fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në
dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.
Komuniteti u
angazhua kundër HEC-eve, ndërkohë që firma u akuzua se kishte falsifikuar
nënshkruesit në konsultimet me publikun, ku rezultonin firmëtarë edhe persona
që ishin ndarë nga jeta.
Prodhimi i
energjisë po shfrytëzon lumin e Valbonës si dhe ujin e përroit të Çeremit, që
rrjedhin brenda luginës së Valbonës, që është shpallur “Park Kombëtar” në vitin
1996./ Citizens Channel
