Të tjera


Investim inteligjent dhe miqësor ndaj mjedisit në Bashkinë Has

Në Janar 2020 nisi zbatimin projekti ndërkufitar “KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente” në Bashkinë e Hasit, i cili ka si qëllim të kontribuojë për një rritje të përgjithshme të qëndrueshme ekonomike në rajonin ndërkufitar duke mundësuar kalimin e bashkive drejt ekonomisë së gjelbër të qëndrueshme përmes politikës së integruar, investimeve publike inteligjente dhe rritjes së kapaciteteve.

Në kuadër të këtij projekti, në fillim të vitit 2021, ndriçimi publik i qytetit Krumë është transformuar në mënyre thelbësore në një sistem efiçent, inteligjent dhe miqësor ndaj mjedisit, duke ndikuar në uljen e çlirimeve të CO2. Llambat e zakonshme HPS të ndriçimit rrugor janë zëvendësuar me 230 llampa të jashtme efiçente LED të zëvendësuara në shtyllat e akseve kryesore të Krumës, duke parashikuar një kursim vjetor të konsumit të energjisë deri në 75% dhe duke patur një ndriçim deri dy herë më të mirë. Për të ulur koston e faturës dhe konsumin e energjisë elektrike në oraret kur nuk ka lëvizje të shumta të banorëve, investimi ka integruar sistemin me zbehje të ndriçimit. Bashkia gjithashtu ka mundësi që të monitorojë vetë ecurinë e ndriçimit me anë të matësit të komunikimit në distancë i cili është i montuar në kompjuterin e Bashkisë Has dhe i lidhur me kabinën e energjisë elektrike të qytetit.

Gjithashtu, ndërtesat publike janë pajisur me 650 llamba të brendshme LED duke zëvendësuar llambat ekzistuese jo efiçente HPS.

Në lidhje me investimin, Kryetari i Bashkisë Has, Z. Liman Morina shprehet: - "Bashkia Has është një bashki e vogël dhe ne jemi falënderues për çdo investim që bëhet në bashki, dhe për më tepër ky investim ka një rëndësi të veçantë për ne pasi është një investim që është në të mirën e gjithë banorëve dhe të vetë bashkisë si institucion. Është një investim i nevojshëm që thekson dhe më tepër përqasjen ndaj teknologjive të reja dhe zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit, që bashkia i përkrah në vijimësi në politikat e saj"

Investimi inteligjente qartazi është përqafuar gjithashtu edhe nga banorët e Krumës, të cilët shprehen: “Nuk kemi patur më parë ndërhyrje të tilla në qytet”; “Qyteti ka marrë një pamje tjetër”; “Kjo që ka ndodhur në bashkinë tonë është diçka e mrekullueshme”; “Nuk kemi patur më parë ndërhyrje të tilla në qytet”.

Investimi do të monitorohet për një periudhë një vjeçare dhe rëndësia e tij qëndron se kostot e Bashkisë Has për ndriçimin rrugor tashmë do të ulen dhe Bashkia e Hasit duke qenë një bashki e vogël do të ketë mundësi që të krijojë kursimet e saj në bazë të investimit efiçent LED dhe mund të kryejë investime të ardhshme të gjelbra në bazë të kursimeve të fituara.

*Bashkia Has, shtrihet në rajonin verior-verilindor të Shqipërisë dhe në pjesën veri-perëndimore kufizohet nga rrjedhja e sipërme e përroit të Skatinës i cili e ndan atë nga rrethi i Tropojës. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 399.62 km2 me një densitet prej 35.49 banorë/km2 . Sipas Censusit të vitit 2011, Hasi ka një popullsi prej 16,790 banorësh.

Ky investim është realizuar në kuadër të projektit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë me titull “Kapërcim i gjelbër– drejt ekonomisë së gjelbër vendore me investime inteligjente” i cili mbështetet financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes programit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë nën Instrumentin e Asistencës së Para- anëtarësimit (IPA II). Projekti zbatohet në Shqipëri nga Qendra EDEN dhe Bashkia Has dhe në Kosovë nga Balkan Green Foundation (drejtues i projektit) dhe Komuna Klinë.

Për t’u njohur më tepër me zbatimin e projektit, apo dhe opinionet e kryetarit të bashkisë Has, si dhe të banorëve të Krumës, e gjeni në brendësinë e artikullit nga Qendra EDEN.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.