Shijaku në emergjencë mjedisore/ Mbetjet urbane nuk pastrohen, digjen nëpër kosha
Bashkia Shijak po
gjendet përballë një katastrofe mjedisore në këto ditë të nxehta gushti. Prej
javësh tashmë kontejnerët e plehrave janë të stërmbushur, ndërsa shumë prej
tyre iu është vënë edhe flaka.
Përveç
dekompozimit ato digjen duke ndotur ajrin dhe rrezikuar shëndetin e banorëve.
Era e rëndë e
tyre shoqëron të gjithë banorët nga hyrja e rrugës në Maminas deri në qendrën e
qytetit.
Në një rast flaka
e vënë ndaj kontejnerit të mbeturinave kishte djegur edhe një pronë aty pranë.
Disa kontejnerë
të tjerë plehrash ndodhen edhe pranë tezgave që tregojnë fruta, perime si dhe
buzë vilave, të cilat me hapjen e derës përballen menjëherë me ajrin e ndotur
nga plehrat.
Kjo situatë katastrofike
ka ardhur pas prishjes së marrëveshjes me landfillin e Sharrës, ku Bashkia
Shijak depozitonte falas mbetjet prej shumë kohësh.
Në 17 gusht
kompania ka njoftuar se depozitimi i plehrave duhet të bëhet kundrejt një
pagese, të cilën Bashkia shprehet se nuk ka buxhet ta përballojë dhe ka bërë
një kërkesë kundrejt prefektit të qarkut për zgjidhjen e situatës.
Prefekti i qarkut
Durrës ka urdhëruar një studim fizibiliteti për depozitimin e mbetjeve në
vendin me koston më të lirë.
Kryetari Elton
Arbana ka konfirmuar se alternativa më e mirë mbetet landfilli i Sharrës. Në
këtë mënyrë pjesa e pagesës që nuk përballohet nga buxheti i Bashkive, do të
subvencionohet nga shteti.
Një marrëveshje
pritet të nënshkruhet në ditët në vijim për të përmbyllur këtë katastrofë
mjedisore.
Landfilli mund të
lejojë Bashkinë t’i depozitojë edhe për disa kohë falas mbetjet, ndërsa më pas
do të bëhet me pagesë./ Dosja.al
