Guroret/ Si po shkatërrohet natyra me “leje” mjedisore?
Dëmi në mjedis por edhe në shëndet sipas të
dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se në qarkun e Beratit, dhe
të Krujës është rritur numri i personave që kanë probleme me aparatin e
frymëmarrjes.
Firmave shfrytëzuese të hapësirave pasuri
shteti, ligji u kërkon që t’i rehabilitojnë ato në masën 100% me fondet e tyre.
Legjislacioni përcakton qartë se hartimi i planit të rehabilitimit dhe fillimi
i rehabilitimit progresiv të karrierës (guroreve) nga kompanitë, duhet të
fillojë që në vitin e parë pas shfrytëzimit të saj.
Në lidhje me numrin e guroreve që kanë operuar
apo operojnë në Shqipëri prej vitit 2014 dhe deri në vitin 2021, sipas të
dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, rezultojnë se janë 291 kompani, të
cilat operojnë në fushën e guroreve, prodhimit të çimentos dhe gëlqeres, në vendin
tonë. Më saktësisht të shpërndara si më
poshtë:
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga
lista me 291 subjekte vetëm 12 të tilla kanë bërë rehabilitim të zonave në të
cilat kanë punuar dhe, rehabilitimi ka ndodhur nga viti 2017 deri në vitin
2019, pra në një hark kohor tre vjeçar.
Po sipas këtij institucioni nga Drejtoria
Inspektim Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për periudhën e
fundit dy mujore (qershor-korrik) 2021 nga grupet e inspektimit është marrë vetëm
një (1) masë administrative “Dënim me gjobë” për subjektet që ushtrojnë këtë
lloj aktiviteti.
Duket se bizneset e guroreve, që janë liçensuar
nga vetë qeveria paguajnë në shtet vetëm 1% të vlerës financiare, që nxjerrin
nga prodhimi i guroreve, e asnjë taksë tjetër me kushtin që pas shfrytëzimit të
zonës, ta ri-pyllëzojnë me shpenzimet e tyre,
nuk ndikohen nga ligji në fuqi.
Edhe pse ligji sqaron qartë se shpyllëzimi ose
heqja e mbulesës së bimësisë duhet bërë gradualisht sipas punimeve, pamjet
tregojnë se në Urën Vajgurore kompanitë nuk kanë humbur kohë, por kanë prerë
njëherësh gjithë bimësinë rreth zonës së punimeve.
Dukshëm në asnjë prej kantiereve të cilat
ishin aktive, nuk duket asnjë gjurmë rehabilitimi i zonës, qoftë me bimësi të
zonës apo fidanë pemësh.
Krahas ndikimit në mjedis mos rehabilitimi i
bimësisë ka ndikuar në shëndetin e qytetarëve dhe banorëve të zonës. Sipas
informacionit zyrtar, nga Instituti i Shëndetit Publik, në bashkinë e Urës
Vajgurore dhe atë të Krujës numri i sëmundjeve që kanë të bëjnë me aparatin e
frymëmarrjes, ka njohur rritje të paktën katër vitet e fundit.
Sipas ekspertëve të mjedisit mos rehabilitimi
në kohë i këtyre zonave, sjell impakt afatgjatë në shëndetin e njerëzve, si dhe
florën e faunën./ Faktoje.al
