“100 problemet” e pazgjidhura të “100 fshatrave”, disa fituan nga investimet, shumë të tjerë u harruan
Programi i “100
Fshatrave” u prezantua si një nismë inovative për turizmin në Shqipëri, një
program në të cilin bënin pjesë fshatra nga Vermoshi e deri në Mursi, fshat
pranë Konispolit, por një pjesë e madhe e këtyre fshatrave, nuk kanë parë as
investimin më minimal dhe as që bëhet fjalë për tu shndërruar në pika të
turizmit.
Informacioni
zyrtar në lidhje me këtë projekt, i cili për hir të trasparencës duhet të ishte
i gjithi online, pothuajse nuk egziston. Në faqet e Ministrisë së Turizmit apo
edhe të Bujqësisë, dy prej ministrive kryesore të përfshirë në këtë program,
maksimumi që do të gjeni është togëfjalëshi “100 fshatrat”, i përdorur në
titujt e deklaratave ose fotove të titullarëve të këtyre ministrive.
Por një “tur”
kërkesash me pyetje të drejtuara zyrave të shtypit të Ministrisë së Turizmit,
Infrastrukturës dhe Bujqësisë tregon se dyert janë të mbyllura për këtë
çështje. Të gjitha ministritë e telefonuara, sugjeruan që të kërkonim
informacionin në një ministri tjetër pasi ato thjesht ishin partner. Asnjëra
nga institucionet përkatëse nuk dha informacion sa ishte buxheti i parashikuar
për këtë projekt, as se ku është ndërhyrë, në çfarë mase dhe asgjë tjetër.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit të cilit i referohen si zbatues të këtij projekti,
edhe numrin e telefonit që ka të regjistruar si pikë kontakti në faqen zyrtare
e ka jashtë shërbimit për shkak të një Defekti Teknik.
Programi i
Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR), i njohur për publikun si Programi i
“100 Fshatrave”, synonte të koordinonte ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën e
100 fshatrave, sipas një qasjeje ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, duke u
shkëputur nga ndërhyrjet e pjesshme, por të kishte një qasje të rreptë
sektoriale. Pra e thënë me fjalë të thjeshta, ky program synonte që 100 fshatra
në Shqipëri të cilët kanë potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit dhe
jo vetëm, ti shndërrojë në pika turistike tërheqëse për turistët vendas e të
huaj. Diçka që në rastin më të mirë ndodhi pjesërisht, e në rastet e tjera
arritja e objektivit është shumë pranë zeros.
Guri i Bardhë,
është një ndër fshatrat e përfshirë në programin e 100 fshatrave dhe është një
zonë e cila, përveç bukurive të natyrës, ka edhe një histori të pasur. Njihet
si vendlindja e Pjetër Budit, por edhe një bastion i Kastriotëve. “Ky është një
qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në një majë mali dhe që si trembet asnjë fuqie
armike, përveç urisë”, me këto fjalë Barleti do ta përshkruante Gurin e Bardhë
qindra vite më parë. Ky fshat prej dhjetëra vitesh nuk ka parë investim në
infrastrukturë, ashtu si nuk pa edhe prej programit “100 fshatrat”.
Situatë e
ngjashme paraqitet edhe në jug të të Shqipërisë, në fshatin Zhulat në zonën e
Kardhiqit i cili është i përfshirë në programin “100 fshatrat”. Rrugën që të
çon në fshat përveç makinës 4×4 vështirë, se e përshkruan makinë tjetër, nga ku
aksi i ndërtuar para disa vitesh u zhduk nga reshjet e dimrit.
Interesi për të
investuar në agroturizëm është diçka që nuk mungon në fshat, por mungesa e
theksuar e infrastrukturës vijon të mbetet problem kryesor. Ndërkohë në Zhulat
edhe uji i pijshëm sipas banorëve mungon, ku vetëm tani, sipas tyre ka kaluar
një projekt në Bashkinë e Gjirokastrës për ngritjen e rrjetit të furnizimit me
ujë të pijshëm të fshatit.
Në Gur të Bardhë,
dëshira për ngritjen e agroturizmit është te pjesa më e madhe e banorëve. Një
bujtinë është në fazat e para të ngritjes së saj, ndërsa shumë banorë të tjerë
planifikojnë të nisin investimin nëse problematikat që i pengojnë marrin zgjidhje.
Guri i Bardhë
është i vetmi fshat ndoshta në Shqipëri që nuk ka asnjë konflikt për tokat pasi
i kanë ndarë sipas atyre që kanë patur gjyshërit. Por një pjesë prej tyre, ndonëse
kanë paguar taksa për tokën prej vitesh, nuk kanë patur certifikatë pronësie
për pronat e trashëguara brez pas brezi.
Pikërisht mungesa
e dokumenteve të pronësisë, është bërë një pengesë e madhe për të zhvilluar
turizmin në Gur të Bardhë.
Por duket se problemet
e lartpërmendura nuk janë të përqendruara vetëm në dy nga 100 fshatrat që janë
pjesë e PIZHRs. Për më shumë, klikoni artikullin e plotë nga Albanian Centerfor Quality Journalism.
