Plepat e Brukës ende po kërcënohen
Banorët e lagjes
së Laknasit “Plepat e Brukës” janë lajmëruar për rrezikun
e ndërhyrjes në pyllin e lagjes së tyre nga firma private “BioProducts” sh.p.k.
Ky biznes privat prej vitit 2018 po përpiqet të ndërtojë një thertore të
prezantuar si ‘agroturizëm’ në këtë zonë. Ndërsa banorët
nga ana tjetër e shohin thertoren si një përvetësim privat i një hapësire
publike pyjore të mbjellë e ruajtur prej tyre dhe e cila mbron mjedisin e zonës
nga ndotjet e lumit dhe erozioni.
Në gjendje
alarmi, ata janë mbledhur me njëri-tjetrin dhe kanë dërguar një seri kërkesash
pranë bashkisë Kamëz, Komisariatit të Policisë nr. 5 në qytet, Kryetarit të
Bashkisë dhe 41 këshilltarëve të Këshillit Bashkiak. Institucioneve u është
kërkuar të jenë të pranishëm fizikisht dhe të njoftojnë nëse kanë dhënë leje
ose janë në dijeni të ndërhyrjes së kompanisë.
Sipas banorëve
pritet që në fillim të javës, firma private të fillojë punimet në zonë, kundër
çdo lloj parashikimi ligjor, pa pritur ende përfundimin e procesit gjyqësor në
shkallë të parë të Gjykatës Administrative të iniciuar nga vetë banorët kundër
saj.
Ky proces
gjyqësor ka filluar prej vitit 2019 dhe seanca e radhës do të jetë këtë
shtator. Vendimi i ndërmjetëm për masën e sigurisë i dhënë në shkallën e parë
ka siguruar pezullimin e punimeve në Pyll, çka ka lehtësuar shumë pozitën e
banorëve.
Mirëpo, në
dhjetor të vitit 2020 Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar masën e
sigurisë duke i hapur rrugën firmës për të nisur ndërtimin. Vlen të vihet në
pah fakti se pavarësisht mijërave dosjeve në Gjykatën Administrative të Apelit,
çuditërisht firma, përkundër ngarkesës së gjykatës, ia ka dalë brenda pak
muajsh të fitojë një vendim në favor të saj.
Për projektin e
thertores janë miratuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, Leja e Zhvillimit dhe
Leja përkatëse e ndërtimit, akte të cilave aktualisht ju ka përfunduar afati ligjor
përkatës. Dyshimi që ngrihet nga banorët është mundësia që lejet janë rinovuar
tashmë nga ana e Bashkisë Kamëz.
Në shkurt të
vitit 2021 banorët e Laknasit kanë marrë shkresën nga Inspektorati Kombëtar i
Mbrojtjes së Territorit (IKMT) e cila ka saktësuar se në zonën e “Plepave të
Brukës” nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje apo prerje drurësh pasi rrezikon
seriozisht 200 banorët e zonës nga prurjet e lumit të Tiranës dhe erozioni.
Ky institucion
parashtron se për ndërtimin e subjektit fitimprurës në fjalë duhet të ketë një
studim të detajuar mbi pasojat dhe efektet në mjedis të tij si dhe dakordësimin
me banorët e zonës. Banorët presin se IKMT-ja do të mundet të ndërhyjë dhe të
ndalojë menjëherë punimet në rast se firma vendos t’i nisë ato.
Të indinjuar nga
procesi agonik gjyqësor dhe administrativ, banorët e zonës janë shumë të
shqetësuar për rrezikun që po i kanoset pyllit të tyre. Ata janë shprehur se
janë duke u organizuar për të mbrojtur pyllin dhe që nuk do të lejojnë në asnjë
mënyrë ndërhyrjen e Bashkisë dhe firmës private, duke u bërë thirrje për
mbështetje mbarë komunitetit dhe shoqërisë civile të Kamzës dhe Tiranës./ NYJE- Gazeta elektronike e Kamzës
