Mbetjet


Ndër vite trajtimi i mbetjeve të rrezikshme kryeson në problematikat mjedisore pa zgjidhje

Vetëm 8 km larg qendrës së Elbasanit ndodhet Balëza e Poshtme, me rreth 1200 banorë. Në zemër të këtij fshati ndodhet e vetmja qendër në rang vendi ku grumbullohen dhe trajtohen kimikatet e rrezikshme. Në heshtje të plotë, ish-magazina e ndërmarrjes së furnizimit të industrisë së minierave që prej vitit 2015 u kthye në “strehën” e mbetjeve të rrezikshme kimike dhe reagjentëve të laboratorëve të ish-ndërmarrjeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Banorët janë në errësirë të plotë se për çfarë shërbejnë këto magazina, ndërkohë ekspertët ngrenë alarmin se kjo qendër mund të kthehet në një bombë të vërtetë ekologjike, jo vetëm për zonën.

Mbetjet kimike dhe reagjentët që dërgohen në qendrën e Balëzës, janë jashtë përdorimit, për rrjedhojë pretendohet se mund t`i kenë reduktuar vetitë e tyre fizike, kimike dhe toksike. Qëllimi i grumbullimit të tyre është eliminimi i premisave për ndotje të mjedisit dhe të njerëzve në ato ndërmarrje, të cilat kanë dalë nga funksioni ose janë në likuidim.

Zyrtarisht Shqipëria nuk ka infrastrukturë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, madje asnjë hartë të saktë të shpërndarjes në territor. Ky fakt pranohet edhe nga qeveria në Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035, i botuar në Fletoren Zyrtare, më 27 maj 2020.

Ekspertët japin alarmin se në mungesë të impianteve trajtuese këto mbetje shpesh përfundojnë në vend-depozitime të hapura, ku përzihen me mbetje urbane, depozitohen në galeri të braktisura minierash, groposen e në disa raste madje edhe digjen pa asnjë kriter a kontroll.

Në një komunikim zyrtar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë mësuam se dy landfillet e vetme të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri (landfilli i arsenikut dhe zhivës), nuk janë aktive prej vitesh.

Ekspertët thonë se, nga 20 000 tonë mbetje të rrezikshme që krijohen çdo vit, rreth 400 tonë janë mbetje kimikatesh, 14 000 tonë mbetje nga pajisjet elektrike dhe elektronike, 2 000 tonë mbetje nga kafshët, 2 400 tonë vajra të përdorur, 480 tonë bateri dhe akumulatorë dhe më shumë se 600 tonë, mbetje spitalore.

Institucionet nuk disponojnë të dhëna të sakta se si trajtohen mbetjet e industrive dhe për këtë ekspertët propozojnë auditim të kompanive nga ekspertë të pavarur

Referuar INSTAT-it, sasia e mbetjeve të rrezikshme që trajtohen, jo vetëm është e papërfillshme, por edhe ka pësuar një rënie drastike. Në vitin 2013 në Shqipëri janë trajtuar 1.1% e mbetjeve të rrezikshme jospitalore, ndërsa në vitin 2019 kjo shifër ka shkuar në 0.1%, duke shënuar një rënie me dhjetë herë më pak.

Në bazë të direktivës së BE-së, në vend janë krijuar disa landfille sanitare. Paradoksalisht, ndërsa Shqipëria noton në mbeturina, këto landfille po shkojnë drejt “kolapsit”, pasi punojnë me gjysmën e kapacitetit për shkak të kostos së lartë.

Për ekspertët 6 vjet pas implementimit të reformës territoriale, koha provoi që bashkitë dështuan në përmbushjen e funksionit të tyre në menaxhimin e mbetjeve të ngurta, urbane.

Menaxhimi jo i duhur në të shkuarën i mbetjeve të rrezikshme nga industria e metalurgjisë, kimike apo nga ajo minerare ka shkaktuar një impakt të madh në mjedis. Vajrat e përdorura, mbetjet e rrezikshme spitalore, akumulatorët dhe bateritë e rrisin “barrën” që këto mbetje të rrezikshme po i shkaktojnë mjedisit dhe potencialisht shëndetit të njerëzve./ Investigative Network Albania

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.