Kromi në Bulqizë nxirret pa leje mjedisore
Në Bulqizë, që
është një prej qyteteve më të pasur me mineralin e kromit në vend, operojnë 126
subjekte minerare, ndërkohë që “EkoSkaner” verifikoi të gjithë këto kompani
pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, nëse janë të pajisur me lejen mjedisore.
Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se 1 në 4 kompani apo rreth 25% e tyre
nuk e zotërojnë këtë dokument, ndonëse mbajnë statusin aktiv.
Sipas ligjit” Për
lejet e mjedisit” këto subjekte kanë detyrimin për t’u pajisur me leje të tipit
B.
Një leje mjedisi
përcakton kërkesa specifike për monitorimin e cilësisë së ajrit, nivelit të
zhurmave dhe dridhjeve, matjet e cilësisë së ujit gjatë fazës së zhvillimit të
projektit, ndërsa specifikon masat e menaxhimit dhe zvogëlimit të ndikimeve apo
dëmeve në mjedis. Mbajtësi i lejes është i detyruar të përmbushë të gjithë
kërkesat e përcaktuara në lejen mjedisore dhe të raportojë informacionin dhe
monitorimin mjedisor pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Për ekspertët e
mjedisit, pajisja me leje mjedisore për subjektet që shfrytëzojnë burimet
natyrore dhe rinovimi i saj është një kusht i panegociueshëm.
Pas reformës në
inspektorate, që u ndërmor gjatë vitit 2019, tashmë janë 2 institucione që kanë
detyrimin për kontrollin e subjekteve minerare dhe impaktin që ato kanë në
mjedis.
Impakti në mjedis
nga industria minerare është i madh, sidomos kur aktiviteti ushtrohet në mënyrë
të jashtëligjshme.
Aktiviteti
minerar në Bulqizë kryhet nëntokë, por subjektet që operojnë depozitojnë jashtë
minierave tonelata me sterile apo mbetje të kromit, që kthehen në burim ndotje
për tokën.
Efekti negativ
nga këto shkarkime të pakontrolluar nuk është vetëm në mjedis, por edhe në
shëndetin e njerëzve.
Vetë Agjencia
Kombëtare e Mjedisit i rendit aktivitetet industriale si një nga burimet e
ndotjes së tokës, teksa e konsideron ndotjen e tokës nga metalet e rënda, si
një nga çështjet mjedisore më të mprehta në nivel lokal dhe global që sjell
efekte negative mbi botën dhe shëndetin e njerëzve.
Në raportin
vjetor “Për gjendjen në mjedis” 2019, që është i fundit i disponueshëm, AKM
liston efektet që sjellin në shëndet metalet e rëndë, duke filluar që nga
bronkiti, pezmatimi i lëkurës, helmimi, sëmundje të mushkërive, kanceri i
mushkërive, deformimi i kockave, shtypja e lartë e gjakut, dëmtimi i veshkave,
dëmtim i sistemit nervor, etj.
Mungesa e lejes
së mjedisit, përveçse tregon se subjektet minerare operojnë ilegalisht dhe pa
kritere në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, bën që këto kompani t’i shmangen
edhe detyrimit ligjor për të kryer automonitorime e më pas t’i raportojnë pranë
Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Kjo pasi
legjislacioni aktual detyron operatorët e veprimtarive që zotërojnë leje të
tipit B, të monitorojnë shkarkimet e veprimtarisë së tyre.
Fakti që
automonitorimet mungojnë vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare të Agjencisë
Kombëtare të Mjedisit. Sipas raportit “Për gjendjen e mjedisit”, ky dikaster
raporton numrin e subjekteve që kanë dorëzuar matjet e shkarkimeve pranë AKM.
Për vitin 2019, për Qarkun e Dibrës, në total kanë dorëzuar raporte
vetëmonitorimi të shkarkimeve në mjedis 68 subjekte. Në këtë shifër përfshihen
të gjitha instalimet që disponojnë leje të tipit A dhe B, ndërkohë që në
Bulqizë, vetëm numri i subjekteve minerare është 126.
Automonitorimet
janë të vetmet mundësi për AKM-në që të ketë një informacion në lidhje me
shkarkimet e kompanive të kromit. Kjo pasi, aktualisht ky dikaster nuk kryen
asnjë monitorim të gjendjes në mjedis në këtë territor, pavarësisht aktivitetit
të lartë industrial. Kjo praktikë do të jetë e njëjtë edhe në vitin 2021, pasi në
Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, AKM nuk ka asnjë stacion
monitorimi të ajrit dhe tokës në Bulqizë. Ndërkohë që, në basenin e lumit Drin,
ku edhe derdhen ujërat që dalin nga miniera, monitorimi hidrokimik kryhet në
zonën e Shkodrës.
Ekspertët
kërkojnë ndërmarrjen e një sërë masash për ndryshimin e kësaj situate, ndërsa
shenjëstrojnë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që pavarësisht
reformës, duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritshme./ INA
