Tubat e ujësjellësit rrezikojnë kanionin dhe burimin e Sinecit
E gjithë zona e
mbrojtur, kanioni dhe peizazhi i tij përreth që sot tërheq turistë, rrezikon që
të shkatërrohet për shkak të një projekti të bashkisë Kuçovë për të ndërtuar
aty një ujësjellës për të furnizuar me ujë shtatë fshatrat e njësisë
administrative Lumas.
Kjo situatë ka
shkaktuar edhe protesta të vazhdueshme prej gati 5 muajsh të banorëve të
Lumasit, që kanë dalë kundër projektit të këtij ujësjellësi. Për banorët,
ujësjellësi do shkatërronte çdo mundësi për pritjen e turistëve dhe shkatërrim
të bujqësisë, pasi uji që përdorin për vaditje do futej në tuba.
Për këtë
komunitet, zbatimi i projektit për ujësjellësin është i padobishëm dhe dëmton
perspektivën turistike të zonës. Ata ngrenë shqetesimin për mungesën e
transparencës në procesin e konsultimit publik.
Për disa javë me
radhë në këtë fshat u zhvilluan disa protesta, përplasje me policinë dhe disa
banorë zhvilluan grevë urie. Kjo e fundit u ndërpre vetëm pas vendimit të
Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për të pezulluar punimet.
Parku i Sinecit
ndodhet në pjesën më të madhe të tij brenda territorit të bashkisë së Gramsh
dhe vetëm në një pjesë të vogël i takon bashkisë Kuçovë. Ai përfaqëson një
kanion me përmasa të mëdha të formuar nga formacionet gëlqerore dhe veprimtaria
e vazhdueshme karstike dhe gërryese e përroit të Saraselit. Kanioni llogaritet
të jetë 300 metra i thellë në pikë maksimale, me shpate të thepisura në disa
pjesë të tij. Burimi, kanioni bashkë me përroin e Saraselit çmohen për vlerat
shkencore, ekologjike dhe turistike.
Sipas bashkisë
Kuçovë dhe kompanisë Salillari punimet e zhvilluara deri në këto momente për të
ndërtuar ujësjellësin për 7 fshatrat e Lumasit nuk kanë prekur zonën e
mbrojtur. Banorët dhe avokati i tyre përfaqësues pretendon të kundërtën. Sipas
avokatit Arben Llangozi, punimet janë zhvilluar brenda zonës së mbrojtur dhe në
perimetrin rreth saj që quhet zonë buferike dhe ku nuk duhet të ketë ndërtime
pa aprovimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Ky konstatim
rezulton edhe në inspektimin që bëri Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura,
dega Elbasan, e cila në përfundim urdhëroi pezulllimin e punimeve për shkak se
janë zhvilluar punime në një zonë të mbrojtur.
Në vitin 2016
bashkia e Kuçovës, në masterplanin e saj propozonte krijimin e një parku
kombëtar të përbashkët me bashkinë Gramsh ku të përfshihen vendburimi i Sinecit
së bashku me shpellën e Xhixhilesë dhe zona të tjera piktoreske. “Një gjë e
tillë mundëson ruajtjen e këtij burimi dhe kanioneve të tij si dhe shfrytëzimin
e tij si një pasuri kombëtare dhe vendore për zhvillimin e turizmit. Promovimin
e vendburimit dhe kanioneve të Sinecit si zonë turistike që ofron mundësi
argëtimi dhe shplodhjeje”, thuhet mes të tjerash në këtë dokument të vitit
2016.
Sakaq, nga
këndveshtrimi i ekspertëve të mjedisit, kjo çështje do duhet parë me
seriozitet, pasi nevoja për furnizimin me ujë të banorëve të zonës, nuk mundet
që të dëmtojë një pasuri natyrore që mbrohet prej vitit 2002.
Për t’i dhënë
zgjidhje nevojës 30-vjeçare për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatrave
Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Sheqëz, Vodëz, Krekëz dhe Koritëz, në vitin 2017,
Bashkia Kuçovë hartoi një projekt për ndërtimin e një ujësjellësi që ujin e
burimit të Sinecit – Saraselit ta çonte në çezmat e banorëve në këto fshatra.
Sipas Bashkisë së
Kuçovës ky projekt do t’i japë fund vuajtjes disa vjeçare banorëve të këtyre
fshtarve për ujë dhe me një kosto të ultë, pasi rrjeti në 80% gjatësisë së tij
do të jetë me rrjedhje të lirë.
Banorët u
shprehën për ACQJ se ata nuk janë kundër faktit që në çezmat e shtëpive t’u
shkojë uji i pijëshëm, por kanë shumë pikëpyetje, duke nisur që dyshimi se
tokat e tyre mund të mbeten të thara dhe pa ujë.
ACQJ bisedoi me
një tjetër banore të Lumasit, e cila u shpreh se si nga bashkia edhe nga
kompania Salillari nuk i është treguar projekti. Banorët aludojnë edhe për
marrjen e ujit përmes tubave për të ndërtuar një fabrikë uji.
Në lidhje me
dyshimet për ngritjen e një fabrike uji në burimin e Sinecit, bashkia Kuçovë
hodhi poshtë çdo aludim, duke nënvizuar: “Lajmi se në ketë zone do të ngihet
fabrikë uji është tërësisht i pavërtetë pasi çdo fakt dhe provë është tërësisht
e verifikueshme. Në këtë zonë do të ndërtohet një ujësjellës i cili do të furnizojë
me ujë 7 fshatra dhe 5800 banorë.”
Aktualisht
projekti për ujësjellësin e shtatë fshatrave me ujin e burimit të Sinecit është
pezulluar, por kjo gjë nuk i qetëson aspak banorët e Lumasit. Pas këtyre muajve
betejë, këta banorë thonë se janë gati që të hyjnë sërish në grevë dhe të japin
gjithçka për ta mbrojtur burimin që për shekuj me radhë ka qenë i tyri./AlbanianCenter for Quality Journalism
